Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarri në Kashnjet, digjen disa banesa

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën e Kashnjetit në Lezhë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe kanë shkaktuar dëme edhe në disa banesa.

Mësohet se disa banesa janë djegur nga zjarri, ndërsa në momentin kur u përfshinë nga flakët ato kanë qenë të pabanuara.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për të ndërhyrë në disa zona nga toka, operacioni po mbështetet edhe nga ajri. Aktualisht, dy helikopterë po operojnë për shuarjen dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit.

Në zonën e prekur është vendosur edhe një perimetër sigurie, pasi dyshohet se në disa pjesë mund të ketë shpërthime të fishekëve të mbetur.

Forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi./dritare.net