Vlora ka nevojë edhe për kosha plehrash

Nga Dritan Hila

 

Para 3 vitesh Vlora ishte një fshat i madh. Të vetmet sheshe ku nuk bije në gropë ishte ai i Pavarësisë dhe Skelës.

Në katër vite, qyteti ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Pika e fortë e tij është Lungomarja. Por edhe ai që njihet si Bulevardi i Skelës është transformuar.

Qyteti simbol ka marrë financime që as i kishte ëndërruar. Megjithatë ka ende rrugica mes lagjeve që janë thjesht të shtruara me zhavorr dhe ngjan se koha nuk ka lëvizur për to. Janë lagje historike të Vlorës, si Çolja, Çentrale, apo qoftë edhe Pavarësia që duan ndërhyrje.

Ndërkohë ka dy probleme emergjente.

E para është pastërtia në qytet. Në gjithë atë metropol, nuk gjen një kosh ku të hedhësh mbeturinat. Bëhet fjalë për koshat e vegjël që duhet të jenë të instaluar në trotuare. Në gjithë gjatësinë e Lungomares apo Bulevardit të Skelës, nuk ke një të tillë. E pra, nuk mund të vijë qeveria të instalojë ca bidonë llamarine. Kaq gjë mund ta bëjë edhe bashkia.

Po ashtu, sistemi i pastrimit të plazheve është inekzistent. Nuk bëhet fjalë për ato që administrohen nga privatët por publiket. Plazhi i Vjetër, ai ku ende shkojnë vlonjatët e moshës së tretë, ngjan me një landfill. Makinat hyjnë mes pushuesve si pa gjë të keq. Nuk ka një polic për ti disiplinuar. Materialet e ndërtimit janë lënë nga ndërtuesit e pallateve si mall pa zot.

Ndërkohë fenomeni tenton të përhapet. Plazhet që sapo janë zbuluar, si ato të Karaburunit apo Sazanit, rrezikojnë të kthehen në kosha plehrash gjigantë. Pushuesit që çohen nga anijet apo skafet turistikë i hedhin plehrat ku munden. Bashkia as aty nuk kujtohet të vendosë një kosh. Edhe një aksion-spektakël që u bë për të pastruar plazhin e Sazanit, thasët u lanë në vend dhe u desh iniciativa private e pronarëve të anijes “Teuta”, që ti largonin me shpenzimet e tyre.

LEXO DHE :  Basha i përgjigjet Ramës: Fshihesh pas propagandës, por të gjithë e shohin të vërtetën

Problemi i dytë është mentaliteti qytetës. Vendasit duhet ta kuptojnë që e ardhmja e tyre është vetëm turizmi. Duhet të ndryshojnë qasjen ndaj tyre por mbi të gjitha duhet të mos lëshojnë plehrat si lopa bajgën.

Tashmë qyteti i vjetër po rindërtohet. Është një Korçë e vogël e implementuar në kontekstin bregdetar. Vlonjatët e vjetër e kujtojnë dhe thonë me krenari se nuk ndryshon asgjë nga Korça, madje është më e bukur sepse e kanë bërë italianët. Epo duhet që të bëhen edhe pak korçarë, nëse duan që qyteti i tyre të jetë i frekuentuar edhe në dimër. Askush nuk do shkojë në fund të muajit t’iu fusë 2 mijë euro në xhep. Qytetarët vlonjatë që janë larguar, duhet të rikthehen ashtu siç kanë bërë korçarët, dhe ti rijapin jetë qytetit nga kanë marrë emrin, qoftë edhe për fundjavë.

Edi Rama ka shumë defekte dhe gabime në qeverisjen e tij. Ama Vlorën e bëri. Tani është në dore të vlonjatëve të bëjnë veten, duke filluar nga plehrat e mentaliteti. Pasi kanë një perlë nëpër duar, siç është gjiri i Vlorës. Por edhe një perlë mes plehrave, nuk ka vlerë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.