Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Viti i kthesës së madhe në Panairin e Librit: Më në fund!

Viti i kthesës së madhe në Panairin e Librit: Më në
Nga Mira Kazhani 

Ka shumë ilaritet në rrjet për shtimin e personazheve në Panairin e Librit, pa qenë shkrimtarë të lindur e as premtues. Ky vit do mbahet mend si viti i kthesës, ku shtëpitë botuese iu dorëzuan Instagramit, ku njerëzit konfirmuan se njeriu është ajo që ha përditë, fotoja që sheh përditë, profilet që ndjek, lajmet që lexon në portalet tona të shpejta si flutura dhe me thellësi mendimi po sa flutura. Televizionet kanë kohë që i kanë dorëzuar armët, duke siguruar më shumë para dhe pak e më pak cilësi. Organizatorët e panairit i dorëzuan shkrimtarët, se ata nuk shesin dhe s’janë as aty që t’i takosh e t’u tregosh emrin tënd. Ndoshta edhe shkrimtarët e tepruan, e bënë bajat me ato dozat romantike, pesimiste, histori e përshkrime aq të stërzgjatura sa të hardallosnin trutë!

Instagrami është sot mjet më praktik! Është më i sigurt dhe i shpejtë në tregim, më i lehtë për të komunikuar me njerëzit, për t’i gënjyer njerëzit, për t’i përdorur ata, për t’i mikluar, për t’i shndërruar në ushtarë që të ndjekin. Madje e bëjnë edhe në një gjendje gazmendi, si të dehur, si të pasigurt, të pamjaftuar kur takojnë adresën e Instagramit në panair, edhe pse nuk kanë asnjë përfitim, zero impakt apo të të shërbejë në jetë si dikur të shërbente një shkrimtar/e, qoftë me një frazë, me një ide.

Jemi adresa tani, jemi foto, jemi ushtarakë në sjellje, por jo si ata partizanët në bulevard, që si debilë luftuan për Shqipërinë. Tani s’ka më budallenj, janë të gjithë të ditur, se kështu është kur nuk lexon dhe tendat me shkrimtarë e filozofë, historianë e publicistë, që nuk kanë urën kryesore, një adresë në Instagram.

Sepse adresa të hap dyert me botën sot, me lexuesin, që tani quhet ndjekës. Adresat shkuan në panair, madje u dyndën. Qindra adresa vizituan panairin e librit dhe dalin me wall-in (zemrën) plot.

Ky është një vit historik: shpëtuam nga shkrimtarët, nga leximi i librave shumëfaqësh dhe vitin tjetër do jetë me keq, domethënë më mirë. Me shpresë që të tjera llogari në Instagram të sjellin diçka për ndjekësit. Boll më! Që nga Homeri e deri tek Yuval Harari, e njëjta histori. E dimë përmendësh botën, asgjë të re s’ka mbi dhé, veç fotos së duhur!/tiranapost.al