
Neda Balluku: Ju nuk urreni Zegjinenë, por shqiptarët e Zegjinesë.
Dritare.net
Nga Neda Balluku
Ju urreni ata shqiptarë që nuk ju marrin ju mend nga studiot e televizioneve se për kë duhet të votojnë. Por pyesin vetëm intuitën e tyre për të kuptuar kujt duhet t'i besojnë e kujt jo. Janë ata shqiptarë që ju i quani ruralë, katunarë, të pagdhendur. Ata që i përqeshni sepse fatkeqësisht keni normalizuar shqiptarët që votojnë për interes, për oportunizëm, për nder e shoqni.
Zegjineja nuk kishte shoqni por u bë me shoqni. Shoqnia e saj janë votuesit e zonës së saj që ndanë mendjen t'i japin besim e mundësi vajzës së tyre. E rritur me halle dhe sakrifica. E veshur me këmisha të thjeshta e portret të pastër. Por danoçe mjaftueshëm për të mos lejuar as fijen e flokut t'i lëvizë kur bëhet herë pas here objekt, subjekt, tabelë qitjeje dhe goditjeje nga diharre të ndryshme fjalësh. Por u del përballë dhe i përqesh siç meritojnë. Dhe nuk kthehet nga ka ardhur as nga frika as nga sulmet.
Zegjine Çaushi përfaqëson shqiptarët që ju doni tu mbyllni gojën, se të gjithë ata për ju janë thjesht shitës shalqinjsh e specash. Sa turp. Të turpshëm dhe qesharakë, sepse kur vjen puna te Zegjineja, ndjeni nostalgji për parlamentet në kohërat e Fan Nolit. Por harroni që llumet e deri djeshme në parlament, që nga goja nxirrnin fjalët kur*ë, pr*stitutë e harrem për gra në politikë, i keni votuar pikërisht ju. Ata që kalonin ylberë politikë, i keni dashur pikërisht ju. Ata që s'bënë një gram hajër për shqiptarët, i mbajtët pikërisht ju.
Ju nuk urreni Zegjinenë, por shqiptarët e Zegjinesë. Dhe lajmi më i mirë është që atyre nuk u çahet shalqini për ju, sepse duan njëri- tjetrin./dritare.net

















