Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Veliaj me artistët në Arenën Kombëtare, Gaz Paja: CR7 s’do të rrudhë më buzët

Veliaj me artistët në Arenën Kombëtare, Gaz Paja: CR7

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj së bashku me disa aktorë dhe artisë kanë vizituar kantierin e ndërtimit në “Arenën Kombëtare”.

Alfred Trebicka, Armando Bora, Artan Imami, Laert Vasili, Monika Lubonja, Gazmend Paja, etj., iu përgjigjën ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për të vizituar “Arenën Kombëtare”.

Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti i njohu artistët dhe aktorët me mundësitë e mëdha që ka krijuar ky lloj bashkëpunimi, për realizimin në një kohë të shkurtër të një vepre të tillë moderne për sportdashësit shqiptarë. Ndërkohë, një bashkëpunim i ngjashëm pritet të ndërtojë edhe Teatrin e ri Kombëtar.

Kryebashkiaku Veliaj falënderoi artistët që pranuan ftesën dhe u shpreh se Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të ketë një nga stadiumet më moderne në Europë.

“Jam shumë i lumtur, që bashkë me miq aktorë, që kanë qenë pjesë e debatit konstruktiv për Teatrin e ri, patëm sot një vizitë, së bashku me Marco Casamontin, arkitektin e famshëm italian, që jo vetëm ka projektuar, por edhe po e mbikëqyr deri në detaje stadiumin e ri të Tiranës. Është padyshim një stadium nga më modernët sot në Europë, nga rifinitura deri te koncepti bazë. Sot ishte vetëm një tjetër premtim i mbajtur për t’u treguar aktorëve se çfarë potenciali dhe fuqie kemi me Teatrin e ri, që besoj do të jetë kantieri i ardhshëm, pas stadiumit, për Tiranën”, tha ai.

“Kemi një stadium dhe një projekt gjigant, i papërballueshëm vetëm me kostot e shtetit, qoftë kjo qeveria apo bashkia, me një partneritet privat, ku tashmë privati ka marrë një hotel me 5 yje dhe ka filluar punën, ndërkohë publiku ka marrë një stadium me vlerë 70 milionë euro”, shtoi Veliaj.

Nga ana tjetër aktori Gazment Paja deklaroi se edhe yjet e futbollit nuk do të kenë më arsye për të mos ardhuur dhe luajtur në vendin tonë.

“Ishte një guidë fantastike, është i bukur pa përfunduar, imagjino në fund. Ia vlejti që u bëmë me baltë. Unë i lutem kryetarit, që ashtu siç na lejoi sot të shohim ambientet, ta bëjë këtë edhe me njerëz të tjerë që janë të interesuar. Nuk kemi frikë tani se do të rrudhë buzët Ronaldo për kushtet, sepse i ka të gjitha: vetëm eja, se u ngelet detyrë çunave tani që të na zbardhin faqen”, tha Paja./ I.M-Dritare.net