
Nga Kadrije Çako
Këtë javë bashkë me shoqërinë vendosëm të vizitojmë Tajlandën e Shqipërisë, ashtu siç e njohin të gjithë Lumin e Shalës. Ishte udhëtimi më i bukur që kisha bërë ndonjëherë. Nëse edhe ti do të shkosh ndonjë fundjavë në Shalë, mund të ndjekësh sugjerimet e mia.
Udhëtimi ynë nisi në 6 të mëngjesit. Nuk kemi makinë personale, ndaj prenotuam në një agjenci udhëtimi, e cila kishte çmime super të lira. Nuk po jua them emrin, sepse nuk po e shkruaj këtë artikull për reklamë, por për t’ju treguar eksperiencën time, sepse u mahnita.
Siç e thashë, u nisëm në 6 të mëngjesit nga Tirana dhe në orën 10:30 ishim te diga e Liqenit të Komanit. Udhëtimi na shkoi mirë, pavarësisht se rruga nuk ishte siç e prisnim. Kishte shumë turistë këtë të shtunë, ndaj neve na u desh të presim 30 minuta te trau para se të shkonim te tuneli, për të kaluar më pas te liqeni. Edhe tuneli ishte bukuri më vete, megjithëse ishte ende në rikonstruktim.
Pasi dilje nga tuneli para të dilte Liqeni i Komanit, që ishte plot me njerëz. Guida jonë kishte rezervuar para edhe lundrimin me varkë me të cilën do të shkonim në Shalë. Siç ishim grup hipëm në varkë dhe nisëm lundrimin.
Ishte hera e parë për mua që hipja në një varkë, për një udhëtim kaq të gjatë. Në fillim u trembëm pak sepse na u prish varka sapo ishim nisur, por pastaj u rikthyem dhe zgjodhëm një tjetër, që do të na çonte në Lumin e Shalës dhe të na rikthente në Koman.
Mbetëm me gojë hapur gjithë lundrimit. Ç’të shihje, more ç’të shihje. Ne në mes të liqenit, mes malesh dhe gjelbërimit, asgjë tjetër veç natyrës.
Lundrimi zgjati rreth një 1 orë e 30 minuta, po kjo varet nga shpejtësia me të cilën ecën varka.
Kur të afroheni te destinacioni, do ta dalloni qindra metra larg, fillon aty ku uji i gjelbër kthehet në kristal.
Tani në verë ulet pak niveli i ujit dhe për të shkuar te lumi mund t’ju duhet të ecni edhe pak në këmbë. Ne ishim me fat, pasi niveli i ujit ishte aty ku duhet dhe shkuam me varkë deri te vendqëndrimi. E kuptuam kur mbërritëm pasi Gëzimi, kapiteni i varkës i ra bilbilit.
Arritëm rreth orës 12:00 te Lumi i Shalës. Guida na tha se kishim 3 orë kohë për të eksploruar, bërë plazh, ngrënë e luajtur. Tre orë nuk mjaftojnë, por për ne që duhet të ktheheshim, ishin super.
Ndaj filluam të lëvizim, disa qëndruan aty pranë varkave ku ishin edhe restorantet. Ishte plot me njerëz. Disa kishin ngritur çadra kampingu, të tjerë pushonin në shezlonge, ca laheshin e ca luanin e kërcenin.
Për ata që nuk u pëlqen ambienti me shumë njerëz mund të ndjekin rrjedhën e lumit. Siç bëmë ne. Sa më larg të shkoje aq më pak njerëz kishte, dhe aq më shumë rehati për ne. E dini cila ishte gjëja më e bukur? Nuk kapte pikë vale telefoni. Pra këto pushime të dedikoheshin të gjitha ty, as stres, as telashe, as gjë prej gjëje. Ti shkoje nga të doje e bëjë ç’të të donte qejfi.
Ndoqëm rrjedhën e lumit dhe shkuam në një zonë e cila ishte pak e populluar, zumë një vend buzë pemëve që lëshonin hije dhe u çlodhem pak para se të laheshim. Nëse ju shkoni merrni dhe rrobat e plazhit me vete. Megjithëse uji ishte brisk i ftohtë, të shijonte aq shumë larja sa nuk e keni idenë.
Po t'ju hahet bukë mund të merrni diçka nga restorantet aty pranë, por unë do t’ju sugjeroja të merrnit ushqime nga shtëpia. Merrni mish edhe piqeni në skarë aty ku po rrini. Nuk keni pse prishni shumë lekë kur mund ta përgatisni edhe vetë.
Qëndruam për orë të tëra buzë lumit, duke u larë dhe luajtur me top. Lëviznim herë pas here, sa më lart shkonim aq më bukur ishte. Por ndërsa ne lëviznim, ikte dhe ora. Dhe pa kuptuar fare, erdhi momenti i kthimit.
Në çastin që u nisëm, zuri shi i madh. Kjo na e vështirësoi pak lundrimin, por ishte një aventurë më vete, ku merrje kënaqësi edhe nga frika. E shoqëruam me të brohoritma udhëtimin, ca nga frika, e ca nga i ftohti. Mos harroni të merrni ndonjë peshqir e çadër me vete se nuk i dihet, mund t’ju zërë edhe juve shiu kur të veni dhe bëheni qull e ftoheni.
Pasi mbërritëm te liqeni, kishte ardhur çasti për të hipur në autobus dhe rikthyer në shtëpi. Kishte shkuar ora 6 e pasdites. Ama rrugëtimi ynë i bukur nuk përfundon këtu. Por me perëndimin e diellit mbi liqen. Të linte pa fjalë.
Të paktën një herë të vetme duhet ta bëni edhe ju këtë udhëtim. Është koha e duhur, sepse kështu si po shkojnë gjërat, nuk do të mund të udhëtoni dot jashtë. Ndaj hiqeni një ditë nga pushimet tuaj dhe kushtojani Komanit dhe Shalës. Nuk do të zhgënjeheni!/dritare.net

















