Babai i Ervis Martinajt në GJKKO: Ja çfarë deklaroi!
Dritare.net

Mustafaj Martinaj u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin për pronat e të birit dhe personave të lidhur me të, por seanca dështoi për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes. Në dalje të seancës, Mustafa Martinaj i pyetur se çfarë ka ndodhur me djalin e tij, tha se “fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë."
"Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”.
I pyetur nëse është i interesuar tek Prokuroria e këtij qyteti se çfarë po bën me hetimet, ai tha “nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”.
Seanca e radhës u shty pas dy javësh, teksa po vijon gjykimin mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Të pranishëm ishin edhe dy shtetas të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK. Ervis Martinaj u zhduk prej 9 Gushtit të vitit 2022 dhe prej asaj kohë autoritetet nuk e konfirmuan kurrë zyrtarisht se çfarë ka ndodhur me të.