U bë pilot 22 vjeç. Rrëfimi i Frederik Beltojës, nga Vlora në kabinën e MIG-ut
Dritare.net

Ish-komandanti i Forcës Ajrore, gjenerali Frederik Beltoja, ka rrëfyer në emisionin "Shqip" të Dritan Hilës në Dritare TV rrugën e tij nga një lagje e Vlorës deri në kabinën e avionëve luftarakë.
Beltoja, vlonjat me origjinë nga Shkodra, hyri në shkollën ushtarake "Skënderbej" më 24 gusht 1980, ditën kur mbushi 14 vjeç. Ai kujton se atë ditë ia qethën flokët zero. "Akoma e kam parasysh shikimin e babait tim," tha ai.
Sipas tij, disiplina e mësuar në shkollën ushtarake i ka shërbyer gjithë jetën. "Pa disiplinë, njeriu është i destinuar të dështojë. Disiplina të nxjerr në fitore, si në Shqipëri, si në Amerikë."
Pas shkollës së mesme, Beltoja u caktua fillimisht në ndërlidhje, por ai zgjodhi shkollën e aviacionit në Vlorë, ku bëri vitin e parë për teknik avioni. Në fund të atij viti ndaloi komandantin e atëhershëm të Forcave Ajrore, Bardhyl Taçi, dhe i tha se donte të bëhej pilot. "E ke mbledhur mendjen?" e pyeti komandanti. Kërkesa iu pranua dhe ai e nisi shkollën nga e para.
Ai fluturoi me avionët Jak, MIG-15 dhe MIG-17. Shkolla mbyllej me qitje me zjarr me MIG-15 mbi një objektiv tokësor në grykëderdhjen e Vjosës. "E ndjeje veten të fuqishëm," kujton ai.
U diplomua pilot në vitin 1988, në moshën 22-vjeçare dhe mbeti instruktor në Pishporo. Pilotët e rinj dukeshin aq të vegjël, saqë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Prokop Mura, kur i pa, pyeti: "Këta janë pilotët? Këta janë fëmijë."
Në vitin 1994 Beltoja u përzgjodh për MIG-19 dhe shkoi në Kuçovë. Sipas tij, Shqipëria kishte në atë kohë rreth 105 avionë aktivë, të vendosur në Rinas, Gjadër dhe Kuçovë.
Ai thekson se pilotët shqiptarë hipnin në MIG-19 pa kurrfarë fluturimi paraprak me të, sepse vendi nuk kishte version dyvendësh për stërvitje. "Të gjithë ata që kanë fluturuar me MIG-19 në Shqipëri kanë bërë heroizëm. E mësoje teorikisht dhe hipje në një avion prej 9 tonësh pa qenë asnjëherë në të," tha ai.
Duke folur për aksidentet, ai kujtoi me mall pilotin Eduard, një nga dëshmorët e fundit të aviacionit, me të cilin kishte ngrënë mëngjes në Kuçovë ditën e tragjedisë. "Rregullorja e disiplinës ajrore nuk është shkruar me bojë, është shkruar me gjak," tha Beltoja.
Nga viti 1996 deri në 1998, Beltoja u trajnua në Teksas me avionin T-37. Pas kthimit, sipas tij, mbeti rreth tre muaj pa punë. "Ju keni paguar 2 milionë dollarë për mua. Nëse nuk ju duhen paratë, unë jam pa punë," u tha ai atëherë eprorëve. Për të nxjerrë bukën e gojës hapi një shkollë private për anglisht në Vlorë, derisa rifilloi punë si pedagog në shkollën e aviacionit.
Në vitin 2001 u transferua në Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes, si shef i integrimit në NATO. Ai rrëfeu edhe një takim në Turqi me studentë shqiptarë të Akademisë së Forcës Ajrore turke, ku njëri prej tyre i kërkoi të ndërhynte që t'u hiqnin matematikën dhe fizikën. "Më vinte për të shkulur flokët," tha ai.
Nga viti 2003 Beltoja fluturoi me helikopterë, midis tyre Agusta Bell AB-206 dhe AB-205. Më pas u bë komandant i bazës së Farkës dhe, në vitin 2014, komandant i Forcës Ajrore, deri në daljen në pension të parakohshëm.
Sot Beltoja jeton dhe punon prej 12 vitesh në Shtetet e Bashkuara. Ai pranon se i mungon fluturimi. "Më ka marrë malli për të fluturuar, siç më merrte malli për të notuar kur shikoja ujin," tha ai./dritare.net