Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump sfidon frikën për AI: Është një mashtrim, SHBA nuk duhet të ndalet

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë shqetësimet për rreziqet e inteligjencës artificiale, duke i cilësuar frikërat për sigurinë e teknologjisë si një “mashtrim” dhe duke kundërshtuar thirrjet për vendosjen e më shumë kufizimeve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kundërshtuar thirrjet për forcimin e masave të sigurisë ndaj inteligjencës artificiale, duke argumentuar se teknologjia nuk duhet të frenohet në një kohë kur gara me Kinën për zhvillimin e AI është duke u intensifikuar.

Në një seri postimesh në rrjetet sociale, Trump i krahasoi paralajmërimet për rreziqet e AI me atë që ai e quajti “mashtrimi i ngrohjes globale”.

Trump paralajmëroi gjithashtu se kufizimi i zhvillimit të inteligjencës artificiale mund t’i japë avantazh Kinës.

“Kush fiton AI-n, fiton!”, shkroi Trump, duke akuzuar gjithashtu se ekziston një “komplot” kundër inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur shqetësimet për sigurinë e AI janë shtuar ndjeshëm në industrinë e teknologjisë.

Jack Clark, bashkëthemelues i kompanisë Anthropic, ka argumentuar se industria mund të ketë nevojë për një mekanizëm që do të mundësonte fikjen e sistemeve të AI në rast se ato bëhen shumë të rrezikshme. Sipas tij, një mekanizëm i tillë mund të duhet të bëhet i detyrueshëm për kompanitë e teknologjisë.

Edhe drejtues të tjerë të industrisë kanë bërë thirrje për më shumë kontroll dhe monitorim të zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, ka kërkuar që ritmi i zhvillimit të AI të ngadalësohet dhe që teknologjia të monitorohet më nga afër. Ndërkohë, Sam Altman i OpenAI dhe Elon Musk i xAI kanë shprehur mbështetje për diskutimin mbi rregullimin dhe monitorimin e pavarur të modeleve të AI.

Nga ana tjetër, Sekretari britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, ka paralajmëruar se nuk duhet të ketë vetëkënaqësi përballë rreziqeve të teknologjisë, por ka bërë thirrje edhe për shmangien e alarmizmit të tepruar.

Debati është përshkallëzuar edhe pas paralajmërimeve të disa studiuesve të AI për mundësinë që teknologjia, në skenarë ekstremë, të përbëjë kërcënim për ekzistencën njerëzore.

Ndërsa një pjesë e industrisë kërkon më shumë rregullim dhe masa sigurie, administrata Trump duket e vendosur të mos lejojë që kufizimet të pengojnë garën teknologjike të SHBA-së me Kinën./L.F-dritare.net