Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump njofton rikthimin e bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar rikthimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se masa hyn në fuqi "menjëherë". Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump tha se SHBA-ja do të marrë rolin e "garantit të sigurisë" në këtë rrugë detare strategjike dhe do të vendosë një tarifë prej 20 për qind për të gjitha ngarkesat që kalojnë nëpër të, me qëllim mbulimin e kostove të sigurisë. Megjithatë, mënyra se si kjo masë do të zbatohet në praktikë mbetet ende e paqartë.

Njoftimi vjen në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë të përshkallëzohen. Më herët, ushtria iraniane deklaroi se nuk do të lejojë Shtetet e Bashkuara të "ndërhyjnë në administrimin" e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Ndërkohë, të dyja palët kanë vijuar shkëmbimin e sulmeve. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se gjatë natës goditi një bazë nëndetësesh dhe një objekt mirëmbajtjeje të anijeve iraniane, duke e cilësuar operacionin si përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas platformës së monitorimit të anijeve MarineTraffic, një numër i kufizuar mjetesh lundruese po vazhdon të kalojë nëpër ngushticë, megjithatë trafiku mbetet i kufizuar për shkak të situatës së sigurisë.

Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se po godet baza ushtarake amerikane në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt, si edhe sisteme radarësh në Oman. Autoritetet e Bahreinit kanë akuzuar Teheranin se sulmet e tij kanë vënë në shënjestër edhe civilët, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon./L.F-dritare.net