Na ndiqni edhe në

Bota

Trump kërcënon Iranin me sulme të reja: Sonte do t’i godasim fort, armëpushimi ka marrë fund

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit është praktikisht i përfunduar, ndërsa paralajmëroi një valë të re sulmesh ushtarake kundër Teheranit. Deklaratat u bënë gjatë samitit të NATO-s në Ankara, vetëm pak orë pasi Trump tha se nuk beson më te negociatat me udhëheqjen iraniane.

Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara "goditën shumë fort" Iranin një natë më parë dhe paralajmëroi se sulmet mund të përsëriten edhe gjatë mbrëmjes.

"Me shumë gjasa do t'i godasim fort sërish sonte", tha ai, duke shtuar se Irani "po sillet shumë keq" dhe se SHBA-ja do të vazhdojë të reagojë ndaj veprimeve të Teheranit.

Presidenti amerikan përdori një gjuhë të ashpër ndaj udhëheqjes iraniane, duke deklaruar se nuk dëshiron të negociojë më me ta.

"Nuk dua të merrem më me ta. Janë llum. Janë njerëz të sëmurë dhe udhëhiqen nga njerëz të sëmurë", u shpreh Trump, ndërsa shtoi se, edhe pse bisedimet mund të vazhdojnë, ai mendon se "po humbasin kohën".

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm pas shkëmbimit të sulmeve të fundit. Presidenti amerikan tha se, sipas tij, armëpushimi është tashmë "i përfunduar", duke lënë të kuptohet se diplomacia nuk po jep më rezultat.

Nga ana tjetër, një zyrtar iranian reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan, duke i cilësuar ato si nxitëse të përshkallëzimit të konfliktit. Sipas tij, retorika e Trump "po e shtyn rajonin drejt zjarrit", ndërsa paralajmëroi se grupet aleate të Iranit në rajon "e kanë gishtin mbi këmbëzën e armëve"./dritare.net