

Të gjykosh Toni Bler nga Tirana, do të ishte një megalomani tipike shqiptare, nëse karriera e tij politike nuk do të ishte kryqëzuar një ditë me shqiptarët për Kosovën.
Sot Bler është ndër njerëzit më të padëshiruar në Britani dhe më gjerë. Raporti mbi hetimin e veprimtarisë së tij për periudhën e luftës në Irak, e ka demonizuar edhe atë vetë, megjithëse atomote shumica e britanikëve, opozitës së kohës dhe think-tankeve e përkrahnin. Periudha post kryeministrore e tij, është parë me lupë dhe disa shërbime të ofruara nga ai vetë apo bashkëshortja për njerëz në pushtet të akuzuar për abuzime me të, shpesh e kanë kryqëzuar. Ashtu siç ndodh edhe me ish kolegun e tij Klinton, të cilit i gjëmojnë edhe faturat e fjalimeve. Duke harruar shpesh se ata që e kritikojnë janë të përdorur nga njerëz me të kaluar më të zezë.
Toni Bler është një produkt tipik i ishullit dhe si i tillë nuk mund të gjykohet me metrin evropian. Kush e ka lexuar biografinë politike të tij “The boy” shkruar nga Andrea Romano, kupton kushtet e ardhjes në pushtet të Bler, pas një logoreje prej tre mandatesh në opozitë dhe ku ylli më i ndritur dhe konkurues i laburistëve ishte Gordon Braun që ngjante i peshkuar nga arkivat e shoqatës së klerkëve të Londrës. Ndërkohë një tjetër gazetar italian Antonio Kaprarika, korrespondent i RAI në Londër në periudhën kur Bler qeveriste, në kujtimet e tij “Zoti i mallkoftë anglezët…apo jo?”, përshkruan situatën bleriane të vendit, ku laburisti Bler kishte në oborrin e tij miq të kallëpit të Ekleston, “mbret i Formula 1, i cili e shumëfishoi pasurinë e tij në atë periudhë. Por laburizmi anglez, terreni ku ai vepron, nuk është socializmi evropian. Bler njëkohësisht bëri që brandi “Made in UK” të rishkëlqente në botë, që mjekësia e cila ishte në prag të kolapsit të rimerte veten dhe shkollimi të shpëtonte nga humnera. Egoizmit të pafre që lulëzoi në epokën Theçer, ai i lëmoi egërsinë. Jo më kot Britania në ditët e sotme është synimi i preferuar i emigrantëve si një simbol i integrimit, sigurisë dhe mundësive të kombinuara sëbashku. Toni Bler nuk ishte socialisti i shtetit asistencialist, por ai që lindi nga një periudhë e egër konservatorizmi dhe hiri i laburizmit që la mbrapa Theçeri. As Theçer dhe as Bler, nuk mund të gjykohen me kallëpët e kontinentit plakë dhe aq më pak të imitohen, siç bëjnë shumë pretendentë për dishepuj, përfshirë edhe hapësirën ballkanike.
Sa i takon politikës së tij të jashtme intervecioniste, Toni Blair ka dy kulme të tij. E para është ndërhyrja në Kosovë, ku më shumë se Klinton ishte iniciatori që nëse Millosheviçi nuk dorëzohej, atëhere duhej ndërhyrë nga toka. Ishte një sipërmarrje që shumë pak e përkrahnin. Mos harrojmë se ai tërhoqi zvarrë pas vetes gjithë të majtën evropianoperëndimore, e cila ishte e lidhur me një mijë fije të padukshme me jugosllavizmin dhe shqiptarët i shikonte si qenie me bisht. Dhe kjo ishte lidership, që Evriopa plakë ka kohë që nuk e njeh. Të njëjtën gjë bëri edhe në Irak. Për mijëra arsye që asnjëherë nuk mund të llogariten në momentin e vendimmarrjes, dhe të cilat tanimë me avantazhin që të jep koha e shkuar ne i quajmë të gabuara, mendojmë se Bler gaboi. Gabim i cili gjithmonë është relativ. Pasi nëse Kosova do të ishte një vatër fondamentalizmi (siç po synojnë ta kthejnë), edhe çlirimi i saj tashmë do t’i faturohej atij si gabim strategjik. Por si edhe tha në fjalën e tij të fundit: “Askush nuk është i sigurtë se një Irak me Sadamin nuk do të përfundonte si Siria sot dhe do të ishte një vend më i mirë nga ai që është”.
Historia e Toni Bler si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, për shumë shkaqe që kanë të bëjnë me karakterin e veçantë të ishullit, për lidhjet e tij speciale me SHBA, për rolin që ka në një pjesë të madhe të botës dhe modelin që i ka dhënë qytetërimit perëndimor që është modeluar pikërisht mbi atë që ka ofruar Anglia, nuk është historia e Zhak Shirak, D’Alema apo Shreder. Historia e Toni Bler si lider botëror, do të dojë të kalojnë të paktën edhe 100 vjet që të gjykohet realisht për pasojat e saj. Ajo që dimë është se ka qenë një lider që me veprimet e tij si një udhëheqës i botës së lirë, ka bërë që të diskutohet. Dhe këta tipa, zakonisht shkruhen në faqen e ndritur të historisë./dritare.net

















