Tërmeti dhe fati që vjen nga kjo skenë krimi

Nga Mero Baze

Duket se prioriteti kryesor i qeverisë, sot e në ditët në vazhdim, është që të duket se është në krye të punëve për të shmangur pasojat e tërmetit. Ka një vërshim njoftimesh dhe lajmesh që flasin për qendra emergjence , vende ku të grumbullohen të dëmtuarit, ku të kërkojnë ndihmë etj. E gjitha duket pak qesharake, pas një paniku, i cili prodhoi më shumë emocione se sa dëme reale .

Akoma më qesharake, dukeshin njoftime te Qendrës së Emergjencave për të fjetur jashtë, apo ministrave që i kish kap zilia për parashikimet e Ilir Metës dhe lajmëronin që tërmetet do të vazhdojnë.

E gjitha ngjan, si një stërvitje në zbor, por me pushkë druri, jo me pushkë të vërteta, pasi nuk pati tërmet që t’i vinte në prove, as qendrat e emergjencës së Tiranës, as ndihmat për Durrësin e Elbasanin.

Tërmeti i fundit kishte më të madhe valën goditëse të panikut, se sa fuqinë shkatërruese dhe kjo falë zhvillimit të tejskajshëm të informacionit nga rrjetet sociale dhe protalet, për të cilat prioritet është lexueshmëria dhe jo informimi.

Por qeveria, bashkitë dhe institucionet shkencore, ku kam parasysh dhe botën universitare, kanë realisht një detyrë me pasojat e këtij tërmeti. Dhe kjo nuk është aq shumë propaganda që po bën namin për të dëmtuarit që janë penguar shkallëve nga vrapi, por për pasojat inxhinierike të tërmetit.

Shqipëria ka një hartë sizmike të para viteve ’90, e cila është produkt i punës serioze, të ish institucioneve shkencore të vendit që nuk ekzistojnë më.

Azhornimi i asaj harte natyrisht që duhet të jetë prioritet i financimeve të qeverisë, por ajo që mund të bëhet sot, është një dokumentim shkencor i dëmeve.

Këtu nuk kam parasysh, sa batanije i duhen Taulant Ballës për në Belsh dhe sa tenxhere Erjon Braçes për t’u ardhur në ndihmë banorëve në Divjakë, por cilat janë tipologjitë e dëmtimit nga tërmeti.

LEXO DHE :  Rama: Aplikoni për t'u pajisur me kartën e studentit!

Duhet dokumentuar nga pikëpamja teknike, dëmtimi i çdo banese, cila pjesë e saj është dëmtuar, a kanë rezistuar ndërtimet e reja, a duhet të bëhemi gati t’i shembim vetë ndërtimet e vjetra, a është funksionale distanca mes pallateve dhe a duhet kthyer në një kod urbanistik distanca për godinat e larta…!

Pra e vetmja punë me vlerë që duhet të bëjë qeveria dhe specialistët këto ditë, është të marrin një fotografi reale të pasojave që kanë ndërtimet e sotme nga një tërmet me magnitudë 5,2 siç ishte më i forti që ndodhi në Durrës.

Kjo do të vlejë më shumë se çdo gjë tjetër, pasi së paku do të kemi një fotografi të aftësive që ka inventari ynë kombëtar i ndërtimeve, për t’u përballuar me një tërmet të tillë dhe të përmirësojmë kuadrin ligjor për ndërtimet e reja dhe sjelljen ndaj ndërtimeve të vjetra.

Është e qartë me aq foto sa kanë dalë se, viktimat e para janë shtesat e ndërtesave, apo  ndërtimet e vjetra.Godina e Fakultetit të Gjeologjisë për shembull ka rezistuar tek pjesa e vjetër e ndërtuar nga gjermanët dhe u rrëzua tarraca shtesë e katit të fundit ndërtuar në vitet ’80.

Po ashtu pallati i çarë në Durrës është qartazi një shtesë e tranzicionit. Por për të qenë serioz, qeveria duhet t’i konsiderojë dëmtimet “skena krimi” dhe duhet t’i inspektojnë së pari ekspertët e ndërtimit dhe të nxjerrin një relacion shkencor, për mënyrën se si janë përballur ndërtimet e reja dhe të vjetra me këtë tërmet.

Kjo është e vetmja gjë që vlen këto ditë pas tërmetit, për t’u quajtur punë serioze. Pastaj për t’u tallur keni parashikimin e Ilir Metës, atë sizmologun grek që ja kalon atij Gërgurit, që ka pas dalë tek Çani dhe propogandën e qeverisë që po shpëton të mbyturit nga një lumë që s’pati ujë./ TemA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.