Të ftuarit në pritjen e ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt
Dritare.net

Ambasada Amerikane në Tiranë ka organizuar pritjen e mirëseardhjes për ambasadorin Eric Wendt, në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut, nën masa të forta sigurie. Në pritje ishin të ftuar rreth 130 persona, mes tyre Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përfaqësues politikë nga të dyja krahët, ministra, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe personalitete nga fusha të ndryshme. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk kishte marrë ftesë, siç kishte deklaruar edhe vetë disa ditë më parë. Ndërkohë, në pritje morën pjesë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetët Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku e Belind Këlliçi.

Nga socialistët ishin të pranishëm kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, Bledi Çuçi.
Në aktivitet mbërriti edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili ishte ndër zyrtarët e parë që u takua me ambasadorin Wendt pas ardhjes së tij në Tiranë. Pjesë e pritjes ishin gjithashtu Enea Karakaçi, Blendi Gonxhja, Toni Gogu dhe Mirela Kumbaro. Mes të ftuarve kishte edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, përfshirë Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Mondi./dritare.net