
Tatyana nga Ukraina që pushtoi Shqipërinë me turistë
Dritare.net

Nga Dritare.net
Dritare.net sjell rrëfimin e Tatyana Bajraktarit, bukuroshes nga Ukraina, e cila la vendlindjen për të jetuar në Shqipëri.
Historia nis në një kafene në Kiev, një mesditë dimri, ku Tatyana njohu Bledin, djalin nga Shqipëria.
Foto ilustruese
Për ta, Ukraina është foleja e dashurisë, pasi aty filloi gjithçka, por prej vitit 2008, çifti jeton në Tiranë. Edhe pse çdo herë që munden, shkojnë në Kiev, pasi atje janë edhe familjarët e Tatyanës.
“Kur isha 21 vjeç takova Bledin, ai vazhdonte studimet për ekonomi në Kiev. Jemi takuar rastësisht në një kafe, nuk di në ishte dashuri me shikim të parë, di që u tërhoqëm shumë me njëri-tjetrin. Më pas, takimet u shpeshtuan, derisa pas disa kohësh, vendosëm të martoheshim. Dasma ishte shumë e veçantë, pasi bashkuam traditat shqiptare me ato ukrainase. Vajza jonë e madhe, lindi në Ukrainë dhe në vitin 2008 ne vendosëm të vijmë në Shqipëri.
Në fillim e kisha pak të vështirë të ambientohesha me idenë e të jetuarit këtu, kjo për shkak të steriotipeve që krijohen ndonjëherë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Por, sapo erdhëm gjërat ndryshuan. Tani them me bindje që Shqipëria është atdheu im, nuk e ndaj nga Ukraina.
Gjatë kohës që ishim në Ukrainë, me bashkëshortin flisnim veç rusisht dhe kur erdhëm në Shqipëri, unë nuk dija asnjë fjalë. Ndaj, ia vura qëllim vetes, pasi nëse doja të jetoja këtu e të ndihesha si në shtëpi, duhet të mësoja gjuhën. Edhe Bledi më ka ndihmuar, por kryesisht e kam mësuar vetë, si fillim i thosha të gjithëve “më fal për shqipen time”, e më pas me prova arrita ta përvetësoja si gjuhë,”shprehet Tatyana për dritare.net.
Si Tatyana, ashtu edhe Bledi kanë mbaruar studimet në fushën e ekonomisë, ndaj dhe qëllim kishin të ngrinin një biznes të vetin. Ishte Tatyana, ajo që insistoi të investonin në fushën e turizmit dhe tregu i duhur ishin vendet nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Kur kërkon, gjen dhe ata të dy, suksesi i gjeti, kur aq shumë punë e mund u finalizuan në 2015, ndërsa në aeroportin e Rinasit, u ul charteri i parë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
“Me turizmin kemi filluar pak nga pak, qëkur erdhëm nga Ukraina për herë të parë. Dhe sot ne kemi një agjenci pritëse që quhet ALER Travel dhe 5 hotele të hapura në Sarandë e Durrës. Ne hotelet nuk i blejmë, por i marrim me qira të gjata, e së shpejti do ALER Hotel do të jetë edhe në Vlorë. Në agjenci punët i kemi të ndara më bashkëshortin. Marrëdhëniet me shtetet e tjera, që ne bashkëpunojmë, i menaxhoj unë. Kurse Bledi, kujdeset për marrëdhëniet këtu në Shqipëri.
Në ato vite, kur ne filluam, ende nuk kishte filluar dyndja e turistëve nga Evropa Lindore. Unë isha e bindur, që me sjelljen e tyre këtu, do të kishim sukses, ndaj punuam shumë.
Turistët rusë kërkohen në të gjithë botën dhe pse mos të ishte dhe Shqipëria një destinacion i tyre për të kaluar pushimet. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që t’i tregoja njerëzve andej, që ajo çka ata mendojnë për Shqipërinë nuk është e vërtetë. Ndaj ne kemi bërë shumë filma, dokumentarë, sillnim këngëtare ukrainas, të xhironin videoklipe këtu, unë dilja në çdo emision e rubrikë turizmi, ku të mundesha, në Kiev.
[caption id="attachment_224990" align="alignnone" width="800"] Momente nga emisioni Dritare në Vizion Plus, i cili do të transmetohet në 31 korrik [/caption]
Unë gjithmonë them që shqiptarët kanë një flori në dorë, turizmin, i cili me disa rregullime mund të bëhet shumë herë më i dobishëm. Natyra i ka dhënë shumë Shqipërisë, malet, detet, liqenet, pafund vende historike. Puna është si t'i përdoresh, si të sjellësh njerëz këtu.
Në fillim ne kemi bashkëpunuar me Tivatin, Mal i Zi, pasi aty uleshin disa herë në ditë chartera nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Pastaj, këmbëngulëm dhe ia dolëm.
Në verën e 2015 ALER Travel, uli në Rinas të parin charter me pushues nga Ukraina dhe vendet e tjera rusishtfolëse. Me Ukrainën e kemi nisur bashkëpunimin në ato vite dhe prej atëherë kërkesat sa vijnë e shtohen.
Këtë sezon ne kemi shtuar një shtet tjetër, që është Bjellorusia. Ndërkohë synimin kryesore e kemi të tërheqim masivisht tregun rus. Mendojmë që vitin tjetër, nuk do të vijë një, por më shumë avionë nga Rusia për në Shqipëri.
Ne si agjenci propozojmë hotele të ndryshme në Shqipëri, ku turistët mund të akomodohen. Por, vetë pushuesit janë të ndarë. Në Durrës më tepër shkojnë familjet me fëmijë të vegjël, i pëlqen shumë qetësia dhe plazhi ranor. Ndërkohë, Saranda është një parajsë tjetër. Këtu vijnë më shumë çifte të cilat duan edhe të eksplorojnë. Por, me përfundimin e punimeve në Lungomare, një destinacion i preferuar do të jete edhe Vlora. Minimumi i ditëve që rrinë është 7, pastaj varion 11, 14.
Qëllimi ynë është ta nisim sezonin që në muajin maj, por jo gjithmonë arrijmë ta realizojmë. Kjo pasi, ndonjëherë është infrastruktura që nuk të lejon, disa prej hoteleve nuk janë gati që në atë kohë, plazhet po ashtu. Ndaj, është shumë e rëndësishme, që edhe në Shqipëri, sezoni turistik të zgjatet më tepër, pasi kushtet atmosferike e lejojnë këtë gjë, ” tregon Tatyana për dritare.net.
E veçanta e ALER Group është stafi që punon në agjenci, hotele, por edhe guida. Punonjësit janë kryesisht rusishtfolës. Tatyana thotë për dritare.net, se ALER Group ka marrëveshje me shkollat e hoteleri-turizëm në Ukrainë dhe studentët që janë në vitin e fundit, vijnë dhe e bëjnë praktikën në Shqipëri. Ata akomodohen e paguhen nga agjencia ALER dhe në fund marrin një certifikatë dhe vlerësime, të cilat njihen në Ukrainë.
“Në ALER Group punon një staf goxha i madh, pasi fillojnë që nga agjencitë turistike, te hotelet, guidat që ne bëjmë. Stafi ynë kryesisht është rusishtfolës, pasi për të pritur rus, ukrainas etj., duhet të dish sesi ata janë, gjuhën, mentalitetin, karakteret etj. Duhet të dinë sesi ata kanë qejf të priten nga personeli i hotelit. Turistët rusishtfolës, janë shumë kërkues, ai nuk diskuton çmimet, as sa shtrenjtë është e asgjë. Ai paguan lekët dhe kërkon shërbimin e duhur. Edhe kur shkojnë në ekskursione një turist rusishtfolës, ka qejf të dijë detajet e vogla, nuk i mjafton të dëgjojë gjërat e përgjithshme.
Ndaj ne stafin e marrim nga Rusia ose Ukraina, ata që punojnë në hotele, kryesisht qëndrojnë vetëm sezonin e verës. Ne kemi shumë vajza e djem të rinj, të cilët në përfundim të kontratës së punës, i japim nga një certifikatë, e cila iu njihet në Ukrainë. Kurse, stafi në agjenci punon gjatë gjithë vitit, pra praktikisht edhe ata jetojnë në Shqipëri.”
Madje, edhe shpjegimi i emrit ALER ka një kuptim shumë të veçantë, pasi siç thotë Tatyana për dritare.net, edhe ajo si bashkëkombësit, është detajiste.
“Ka dy shpjegime përse ne kemi vendosur ta quajmë ALER. Një është “Al” për Shqipërinë dhe “er” për erën e Shqipërisë. Kurse kombinimi tjetër, i cili është pak më personal, janë inicialet e dy vajzave, Albana e cila është 10 vjeçe dhe Erdrina, 7 vjeçe.”
Për Tatyanën, Shqipëria nga Veriu në Jug, është rrethuar nga bukuri natyrore dhe historike.
"Edhe pse gjatë sezonit të verës, unë jam pranë detit në çdo moment, nuk kam bërë asnjë ditë plazh, e as nuk kam shëtitur dot në qytete të tjera.
Kjo pasi, për ne pushimet fillojnë atëherë kur të tjerëve i mbarojnë. Por, ne prej kohësh pushimet tona i bëjmë në Shqipëri. Dhe deri tani unë kam vizituar më shumë se 90% të Shqipërisë. Nuk di të veçoj një vend, pasi secili ka bukurinë e historinë e vetë, që nga Veriu e deri në Jug. Kjo është Shqipëria reale, e cila pavarësisht problemeve të vogla, përsëri mbetet një perlë e Ballkanit.”/dritare.net

















