
Surpriza e TVSH/ Estela Ujka, këshilla bukurie falas
Dritare.net

Estela Ujka është një nga pesë moderatoret e emisionit më të ri të pasdites në Televizionin Publik Shqiptar. Ajo është ekonomiste dhe aktualisht punon në një nga bankat e kryeqytetit, por pasioni i saj për të bukurën e ka shndërruar edhe në një nga blogeret më të njohura në Shqipëri.
Për këtë arsye Estelës i është besuar drejtimi i ditës “Violë”, siç quhet e enjtja që ajo drejton në emision “Pasditja ime” në TVSH. Një ditë që i dedikohet, modës, make up-it, sfilatave, arredimit dhe blogut.
Për të nuk është hera e parë që përballet me kamerat dhe televizionin, sepse në vitin 2003 ishte drejtuese në spektaklin “Netë vere” të televizionit “Klan”. Ndërsa sot Estela rikthehet pas 14 vitesh, jo vetëm si një blogere e suksesshme, por edhe si nënë e dy vajzave, Lores dhe Sharmin, të cilat janë bekimi më i madh për të. Estela tregon për dritare.net se fillimisht propozimin e mori si një lojë, ndërsa tani është e lumtur që i është besuar drejtimi i të vetmit emision të mirëfilltë mode në Shqipëri.
Dritare.net-Jeni një nga blogeret më ndjekura në rrjetet sociale, që preferoni ta eliminoni “Photoshopin” në fotot që publikoni, duke u prirur më shumë te bukuria natyrale. Këtë gjë mendoni ta përcillni edhe në emision?
Edhe në emision mundohem të vij sa më origjinale, si në puntatat e para, ku jam munduar të vij me make up-in tim. Me një make up jo të rënduar, duke qenë se unë vetë kam kritikuar edhe koleget që rëndohen më shumë se mosha që kanë. Mundohem të sjell një frymë tjetër, franceze, britanike, jo aq shqiptare apo edhe amerikane. Kështu e konceptoj unë të bukurën. Edhe në veshje edhe në make up.
Dritare.net- Feedback-u nga ana e fansave ka qenë pozitiv? Çfarë ju diferencon nga emisionet e tjera të pasdites?
Jam munduar të ftoj blogere më së shumti, të cilat nuk vijnë vetëm si blogere por edhe si mikesha. Beauty Talk do të jetë risia e emisionit, sepse do të vijë me këshilla ekspertësh bukurie, që janë sallonet më të mira në Tiranë, apo edhe në vend, sepse na bën ftesë një sallon që nuk e kemi zbuluar akoma.
Por, pjesë e Beauty Talk do të jenë edhe “Beauty Bloger” që e bëjnë vetë make up-in. Janë ato personazhe të njohura që lyhen vetë dhe që nuk i drejtohen salloneve. Ato do të ndajnë produktet e tyre të preferuara, që kanë në çantë dhe do të shikojmë sesi e bën ajo make up-in realisht hap pas hapi. Të gjithë jemi kureshtarë për të ditur sesi trukohet vetë Jonida Maliqi, Jona Hadëri, apo Aurela Gaçe, e shumë emra të tjerë, që do të jenë në emision.
Dritare.net-Kur vendosët që ditën e enjte, në emisionin “Pasditja ime” do ta drejtoni ju, për cilin publik menduat më shumë?
Publik konsideroj ata që më ndjekin edhe sot në blog, Instagram apo Facebook dhe është një publik që unë e vlerësoj shumë, sepse më ndjekin edhe vajza 14 vjeç, edhe zonja 60 vjeç. Padyshim që pjesa që i përket moshës sime janë edhe më besnike, që gjejnë edhe frymëzim, shikohen edhe konsultohen me imazhin, çfarë kanë veshur e çfarë kanë zgjedhur. Sidomos edhe nënat e reja, por edhe mosha 60 vjeç, mamatë e shoqeve të mija më ndjekin.
Dritare.net-Për puntatën e tretë, çfarë surprize keni rezervuar për publikun?
Tek puntata e parë, ne patëm Gertën e G-studios, ka thënë pafund sekrete bukurie të cilat as unë që rri gjithë ditën në internet duke hulumtuar, nuk i gjej. Këto janë sekrete që i gjen shqip dhe janë të kuptueshme për publikun shqiptar sepse nuk këshillohen produkte që nuk ke ku i gjen. Këtu bëhet make up-i me produkte që janë vetëm të sallonit apo edhe dyqaneve në Shqipëri. Në puntatën e dytë, ne shkuam dhe bëmë make up me produkte organike me Sara Karaj, që është Beauty Bloger. Është shumë interesante, pasi bëhej fjalë për produkte organike, të aplikuara nga një person i thjeshtë.
Ndërkohë në puntatën e ardhshme, do të shkojmë te Klodi Mengri, eksperte bukurie, për të bërë Beauty Talk-un e radhës. Klodi vjen pas një eksperience 20-vjeçare në këtë fushë, ka bërë javë mode në Nju Jork, ka qenë drejtoresha artistike e Klanit për shumë vjet. Tani ka krijuar një institut bukurie “Ti Institute”, që nuk i mëson vajzat vetëm si të krihen apo si të trukohen, por edhe si të fotografohen, sillen apo të vishen, të gjitha që kanë lidhje me të bukurën. Dhe unë jam shumë kurioze që ta dëgjoj, sepse Klodi do të na tregojë shumë sekrete të fushës.
Dritare.net-Blogimin e keni menduar fillimisht si një mënyrë për të fituar të ardhura, apo thjesht pasion?
Unë e kam krijuar thjesht për pasion, për argëtim, lojë edhe si sfidë. Në ato momente që është filluar para 5 vitesh, nuk është parë fare pjesa e të ardhurave apo përfitimi, sepse ti në blog vetëm mund të investosh, nuk mund marrësh mbrapsht të ardhura.
Duke qenë se blogu, si platformë apo formë investimi rezultoi i suksesshëm, pati interes dhe impaktin e duhur, qenë kompanitë që e kthyen në biznes.
Në Shqipëri duhet të pranojmë që bashkëpunimet janë pak modeste, nuk janë bashkëpunime njësoj si një blogere jashtë, sepse akoma nuk janë të ndërgjegjshëm për formën e marketingut dixhital apo marketingut në rrjetet sociale. Kompanitë e huaja e kanë më të thjeshtë këtë pjesë, e vlerësojnë e bashkëpunojnë, madje së fundmi edhe kompanitë e huaja i janë qasur edhe blogereve shqiptare.
Reklama e bërë nga blogeret është më e vërtetë, sesa reklama në televizion, sepse ti e shikon me të vërtetë atë që i ka bërë produkti, ose si i rri ajo veshje blogeres. Ndërkohë reklamat janë të gjitha njësoj.
Dritare.net -Në blogun tuaj “Sharminstyle” apo edhe në Instagram, përveç pjesës së stilit promovoni edhe lëkurën e shëndetshme, duke këshilluar për kremra të ndryshëm...
Unë së fundmi jam ambasadore e firmës “Lierac”. E cila është një kompani franceze kozmetike 50 vjeçare, me të cilën nuk rrezikon që të lidhesh, pasi nuk humb asgjë nëse je pjesë e këtij emri të madh të kozmetikës. Ti bën reklamë për një produkt që nuk ka nevojë për reklamë, ndaj dhe unë pranova direkt.
Blogeret kanë shumë ndikim në sjelljen e një frymë tjetër. Por, është shumë gabim nëse platformën e kthen në biznes të pastër, është shumë mirë të fitosh, por nuk duhet ta shikosh vetëm si një mundësi përfitimi.
Dritare.net-Me vajzat çfarë marrëdhënie keni? Ndikoni në veshjen e tyre apo i lini të lira?
Vajzat janë bekimi më i madh në jetën e kujtdo, por edhe timen. Unë duke qenë grua në karrierë dhe me shumë impenjime, ndonjëherë më kap ajo ndenja e fajit kur nuk jam në shtëpi me vajzat. Por, edhe kur jam në shtëpi me ato, më duket sikur nuk jam, sepse jam gjatë gjithë kohës duke përditësuar blogun, apo duke lexuar komentet, apo duke i kthyer përgjigje ndjekësve.
Vajzat janë natyra të kundërta, madje ne i kemi ndarë, e madhja është e babit, e vogla është goca ime. E vogla më ngjan më shumë edhe në pamje, edhe në shejtanllëqe.
E madhja nuk është fare e fokusuar te veshja, madje ka disa prirje shumë interesante, sepse do të jetë shumë e mbuluar e shumë komforte, të mos tregojë asgjë. Ka një vetëkontroll të çuditshëm. Fustani nuk duhet të jetë shumë i shkurtër, pantallonat jo shumë të shkurtra, bluza jo transparente.
Nga e vogla pastaj, nuk gjejmë asnjë palë këpucë me taka në shtëpi, sepse ajo i ka bërë çorap. Çdo ditë vjedh tualetet e mija, e gjej të trukuar, bën sfilatat e saj dhe nuk lodhet. Janë të ndryshme dhe i dua ashtu siç ato janë, të ndryshme.
Dritare.net-Çfarë mendimi keni për stilin e vajzave të reja shqiptare?
Unë them se vajzat më me shije shqiptare, janë ata që ekspozohen më pak, që e njohin stilin e tyre dhe i qëndrojnë besnik. Ndonjëherë ato që ekspozohen më shumë, nuk është e thënë që janë vajzat më me shije, apo të veshura më mirë në Shqipëri. Ndonjëherë shija nuk ka lidhje me dukshmërinë apo vëmendjen.
Unë them që gjërat janë përmirësuar shumë, duke e krahasuar edhe me vitet 2000 kur unë isha në kulmin e karrierës, deri tani pas 17 vjetësh. Ne kishim shumë pak mundësi, shumë pak informacion. Them se këto gjëra pak janë shuar, sot vajzat e dinë që në shkollë duhet të shkosh me atlete, apo me një T-shirt, sa më thjeshtë, sa më komode, sot e dinë që duhet t’i përshtatesh eventit që do të shkosh. Një pjesë e tyre po i qasen kësaj pamjes natyrale, “acqua e sapone”.
Them se jemi në përmirësim, e vetmja e metë që i gjej rinisë shqiptare sot, është që po konvertohen të gjitha njësoj. Rrugës e humbin individualitetin e tyre dhe i qasen një imazhi Kylie, Kendell apo Kim dhe bëhen të gjitha si ajo. Bukuria nuk është fabrikë prodhimi, të çosh atë fotografi dhe të riprodhosh po atë fotografi.
Pikërisht kjo ishte këshilla më e mirë që më dha Gerta e G-studios, eja bëjmë një make up, pa e zhdukur Estelën, por për ta nxjerrë në pah sesa e bukur është Estela. Ajo më leu mua dhe përdori emrin Estela, por kjo vlen për të gjitha. Ji ti, jo dikush tjetër! Origjinaliteti është mesazhi./dritare.net

















