
Siguria për jetën është kthyer tashmë në një iluzion për të gjithë
Dritare.net

Në një situatë absurdi e amullie totale, ku krimi e barbaria gjejnë prej kohësh terrenin e duhur për të mbijetuar e të fortët në këtë vend nxitojnë për të larë hesapet, në një vend ku institucionet kanë dalë jashtë loje krejtësisht e shpresa, besimi e mundësia për të jetuar të qetë e në një klimë të sigurt është kthyer tashmë në një iluzion për të gjithë, qëllohet barbarisht me plumb në kokë në qytetin e tij, Ravik Gurra, një avokat i nderuar.
Tronditet sërish Elbasani, e gjithë Shqipëria, komuniteti i avokatëve gjithashtu. E si në çdo rast rëndom ndodh, policia vijon të gjejë autorët pa arritur në asnjë rast të parandalojë një krim të tillë. Një koleg i nderuar u vra barbarisht pa asnjë shkak apo për shkakun e vetëm se kish dalë ndesh me interesa të ngushta të klaneve të caktuara.
E përveç medieve që përçojnë lajmin në kohë, askush nuk prononcohet e nuk mban përgjegjësi as në këtë rast, për këtë ndodhi të rëndë e të shëmtuar. Jetët e humbura dhe për shkak të detyrës nuk janë më halli i askujt në këtë vend.
A mund të ketë e keqja limit këtu??
E pamundur me shumë gjasë me siguri.
U prehsh në paqe i nderuar koleg, jeta e secilit prej nesh është e rrezikuar në këtë formë çdo ditë!/dritare.net

















