Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si injektohet insulina që të zgjasë më shumë efekti!

Si injektohet insulina që të zgjasë më shumë efekti!
Për të gjithë diabetikët, që kanë problemin e insulinës, ky artikull është shumë i dobishëm. Sëmundja e diabetit, njihet për mosprodhimin e insulinës, prandaj për këtë është e nevojshme, që ajo të injektohet në mënyra të ndryshme.  Është e rëndësishme që injektimi te diabetikët të kryhet në çdo rast, pasi është e rrezikshme për shëndetin. Nëse të prekurit nga diabeti nuk injektojnë sasinë e duhur të insulinës, ata rrezikojnë jetën e tyre.

Në një intervistë për ‘Super Shëndeti’, mjekja  dhe endokrinologia, Manjola Çarçani ka shpjeguar  disa skema për injektimin e insulinës, në mënyrë që të zgjasë më shumë.

Injektimi i duhur i insulinës, jo vetëm që do ta bëjë që të mbajë vlerat në normë të glicemisë, por edhe mund ta heqë varësinë më vonë nga insulin.

Sepse siç e thotë edhe vetë doktoresha: Insulina është ilaç dhe si i tillë, ashtu siç merret  edhe mund të hiqet, nëse gjendja stabilizohet.

Çfarë është insulina, ku prodhohet dhe çfarë roli ka në organizmin tonë?

Insulina është hormon që prodhohet në gjendrën e pankreasit, e cila është e lokalizuar mbrapa stomakut, nga disa qeliza të veçanta, që quhen qeliza beta.

Glukoza është ushqyesi themelor i organizmit tonë, ose ndryshe mund të themi karburanti i qelizës.

Nga përdorimi i glukozës përfitohet energji për funksionimin e rregullt të qelizave të trupit.

Furnizuesi kryesor i glukozës për njeriun janë karbohidratet, të cilat shpërbëhen në zorrën e hollë dhe glukoza (sheqeri) në ushqimin e tretur, thithet nga qelizat intestinale (të zorrës së hollë), dhe nëpërmjet gjakut transportohet në të gjitha qelizat e trupit ku edhe përdoret.

Por glukoza nuk mund të hyje e vetme në qelizë, ajo ka nevojë për insulinën që ta ndihmojë në transportin e saj brenda qelizës.

Pa insulin, qelizat nuk e përdorin dot glukozën.

Glukoza e papërdorur dhe me tepri, nxirret jashtë me anë të urinës.

Cila është lidhja specifike e insulinës me diabetin?

Pas ngrënies së një vakti ushqimor, vlerat e glicemisë (sheqerit) rriten, në përgjigje të kësaj rritje, pankreasi prodhon më tepër insulin që të ndihmojë glukozën të hyjë nëpër qeliza dhe të ulë nivelet e glicemisë pas ngrënies.

Kur ulet glicemia, prodhimi i insulinës nga pankreasi pakësohet.

Është e rëndësishme të theksohet se edhe në gjendjen e urisë ka një prodhim të qëndrueshëm, në sasi të vogla të insulinës, që ndryshon pak, dhe ndihmon në mbajtjen e një glicemie të qëndrueshme gjatë urisë.

Në personat pa diabet ky sistem rregullues ndihmon të mbahet glicemia në një interval të kontrolluar, në personat me diabet ky sistem rregullues është i dëmtuar dhe mund të kemi: mungesë të plotë ose të pjesshme të prodhimit të insulinës ose ulje të ndjeshmërisë së qelizave ndaj insulinës.

Të gjitha këto çojnë në rritje të niveleve të glukozes (rritje të vlerave të sheqerit në gjak), pra në shfaqjen e DIABETIT.

Cilat janë indikacionet e përdorimit të insulinës?

Mjekimi me insulin është i domosdoshëm dhe jetik në rastin e diabetit tip 1, pasi ka mungesë të prodhimit të insulinës nga pankreasi.

Ndërsa në rastin e diabetit tip 2 mund të jetë alternativë, nëse ka dështuar trajtimi i diabetit me preparate nga goja (antidiabetiket orale).

Si vendoset, kur një diabetiku duhet apo jo, që të fillojë insulinën? Duhet ta nisë sa më shpejt, apo sa më vonë?

Kur ne si mjekë diskutojmë me pacientët për fillimin e insulinës dëgjoj që thonë: Jo, nuk dua ta filloj, se po e fillove, mësohet trupi me insulin.

Ky është një mendim i gabuar, pasi një diabetik mund të mjekohet me insulin për një periudhë kohe për sa ka nevojë organizmi dhe mund të ndalohet insulina kur situata është stabilizuar, duke e kaluar përsëri pacientin me mjekim me tableta, ose edhe vetëm me dietë, apo me aktivitet fizik.

Pra, insulina është ilaç si çdo ilaç tjetër, mund të fillohet dhe mund të ndalohet (kuptohet vetëm duke bërë konsultën me endokrinologun), nëse situata është në stabilizim.

Pra, në cilat raste apo situata është i rekomanduar fillimi i insulinës?

Insulina rekomandohet të fillohet në rastet kur vlerat e glicemive dhe hemoglobina e glukozuar persistojnë të larta, pavarësisht se pacienti është shumë rigoroz me dietën, aktivitetin fizik dhe ka dështuar efekti i mjekimit me tablet; në rastet me gjendje hiperglicemie me apo pa koma diabetike, në shtatzani, ne ata diabetikë të cilët do t’i nënshtrohen një interventi, në ata diabetikë që kanë probleme serioze me zemrën (infarkti akut i miokardit), në rastet kur kemi infeksione të ndryshme, në rastin e plagëve apo gangrenës diabetike, në rastet kur kemi dëmtime madhore të veshkave (insuficienca renale) dhe dëmtimeve të mëlçisë (isuficienca hepatike), në rastet kur kemi aksidente vaskulare (hemoragjite cerebrale).

Si matet insulina në dozë dhe sa tipe insulinash kemi?

Insulina matet me unitete dhe aktualisht ne në treg kemi dy tipe insulinash; atë humane dhe insulinat analoge.

Si bëhet insulina dhe ku janë vendet që ajo mund të bëhet?

Insulina zakonisht bëhet nën lëkurë dhe kjo quhet injektim subkutan, por në disa raste, në kushte spitalore mund të bëhet edhe venoze, por gjithmonë nën kontrollin e personelit mjekësor.

Vendoset agia në penën e insulinës, sigurohemi që nuk i kemi dhënë komandë përpara fillimit, e rrotullojmë derisa të dalë në dritaren e vogël numri që është sasia e unites së insulinës që duhet të bëjmë, zbulojmë agen, pena mbahet pingul me lëkurën, injektohet agia nën lëkurë dhe shtypet pistoni ngadalë që të injektohet insulina, mbahet disa sekonda 10 deri 15 sekonda, pastaj tërhiqet agia që është futur nën lëkurë (në mënyrë që të mos na derdhet jashtë, pasi e heqim agen), mbulohet përsëri agia dhe insulina që është në përdorim, mbahet në ambient të freskët.

Vendet e injektimit të insulinës janë në zonën përreth kërthizës në formë rrethore afërsisht dy gisht rreth saj, në zonën e kofshëve në pjesën e përparme, sipër anash krahut, në të ndenjurat.

Mirë është që insulina të mos bëhet vetëm në një vend, por të ndryshohet vendi, duke shmangur kështu bërjen e disa gjendrave në vendin ku ajo injektohet, nëse e bëjmë gjithmonë në të njëjtin vend, çka bëjnë uljen e efektit të insulinës dhe janë të dhimshme kur ti e bën në këtë rast.

Cilat janë llojet e insulinave sipas kohës së veprimit, dhe a mund të na flisni për karakteristikat e tyre?

– Insulinat i ndajmë insulina me veprim të shkurtër – kjo lloj insuline bëhet përpara ushqimit, fillon të veprojë 30 deri 60 minuta, pasi e kemi injektuar dhe kohëzgjatje veprimi 6 deri 8 orë.

– Insulina me veprim të ndërmjetëm – ky tip insuline fillon të veprojë nga 1 deri 2 orë pas injektimit dhe kohëzgjatje veprimi 14 deri 16 orë. Mund të bëhet edhe pas ngrënies.

– Insulina mikse analoge (janë insulina të përziera) kanë fillimin e veprimit 30 deri 60 minuta pas bërjes dhe kohëzgjatje veprimi 18 deri 24 orë.

– Insulina analoge me veprim të shpejtë kanë fillimin e veprimit 10 deri 15 minuta pas bërjes së saj dhe kohëzgjatje veprimi 4 deri 5 orë.

– Insulina analoge me veprim të zgjatur kanë fillim veprimi pas 3 deri 4 orësh nga momenti kur bëhet zgjasin 24 deri 30 orë

– Insulina me veprim të shkurtër është pa ngjyrë, si uji.

– Insulinat me veprim të ndërmjetëm janë të turbullta dhe para se të bëhen, duhet tundur lehtë me delikatesë që të bëhet homogjene si qumësht.

– Insulinat analoge me veprim të zgjatur bëhen zakonisht një herë në ditë dhe ka shumë rëndësi respektimi i orarit të bërjes, pra duhet të bëhet në të njëjtin orar.

– Insulinat e përziera mikse janë përzierje e insulinës me veprim të shkurtër dhe atyre të ndërmjetme.

Në tregun tonë i kemi në raportin 25/75 dhe 30/70, kjo për ta kuptuar sa më thjeshtë në 100 unite insulin mikse e formës 25/75 kemi raportin 25 % insulin me veprim të shkurtër dhe 75 % insulin me veprim të ndërmjetëm.

Pra nëse ne bëjmë 10 unite insulin të përzier kemi 2, 5 unite me veprim të shkurtër dhe 7, 5 unite me veprim të ndërmjetëm.

Sa herë në ditë mund të bëhet insulina?

Ka disa skema të bërjes së insulinës të cilat caktohen edhe sipas gjendjes së pacientit, edhe duke marrë një miratim të pacientit, pasi është ai që do t’i bëjë.

Pra përpara se të vendoset për skemën e insulinës duhet të diskutohet me pacientin për llojet dhe skemat e bërjes.

Ka skema me një injeksion insuline që janë insulinat me veprim të zgjatur mund të shoqërohen ose jo edhe me preparatet me tableta për uljen e diabetit, kjo bëhet vetëm një herë në ditë.

Ka skema me dy injeksione që janë insulinat e përziera ose të ndërmjetme të cilat bëhen në mëngjes dhe në darkë.

Ka edhe skemë me tre injeksione insuline, të cilat bëhen në mëngjes dhe në drekë me veprim të shkurtër dhe në darkë insulina me veprim të ndërmjetëm ose të përzier.

Dhe skema me katër injeksione e cila bëhet në mëngjes – drekë – darkë që është insulin me veprim të shkurtër dhe në darke para gjumit insulina me veprim të ndërmjetëm ose insulin me veprim të zgjatur.

A ka ndonjë efekt anësor bërja e insulinës?

Gjatë bërjes së insulinës mund të kemi hypoglicemi (rënie të sheqerit) dhe shumë të rralla janë alergjitë kutane gjatë bërjes së saj.

Insulina duhet të injektohet vetë, apo nga ndonjë familjar që është trajnuar më parë, nga infermierja etj?

Çdo diabetik duhet të mësojë vetë se si bëhet insulina, si ai duhet të bëjë vetërregullimin e dozës së insulinës, në varësi të vlerave të glicemive.

Ka shumë rëndësi edhe të kuptojë që insulina që bëhet në mëngjes është përgjegjëse për mbajtjen në vlera të stabilizuara të vaktit që do të vijë, pra për gliceminë para drekës.

Insulina që bëhet në drekë është përgjegjës për gliceminë e darkës dhe ajo që bëhet në darkë është përgjegjëse për gliceminë e mëngjesit.

Pra, nëse matim një glicemi në mëngjes dhe do na dalë e lartë, duhet të modifikohet edhe doza e insulinës së mëngjesit (duke shtuar dozën, por edhe të vaktit përgjegjës pra darkën, në mënyrë që mëngjesin tjetër të kemi vlera të stabilizuara të sheqerit.

E kundërta ndodh kur kemi ulje sheqeri, fillohet të ulet në mënyrë graduale doza e insulinës./Nga  Silvana Balliu për Super shëndeti