Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shtypi vjehrrin dhe nusen në Golem, si e bindi shoferi partneren, që të shpallej fajtore

Shtypi vjehrrin dhe nusen në Golem, si e bindi shoferi partneren, që
Pas ngjarjes së rëndë ndodhur në autostradë, Policia e Kavajës ndaloi 30- vjeçaren, Ilda Parroj.

Ajo u dyshua se kishte qenë në timon në momentin që mjeti tip “Toyota Corolla” humbi kontrollin dhe përplasi anëtarët e familjes Fisku që prisnin mjete të rastit, anës rrugës. 30-vjeçarja mori përsipër autorësinë e ngjarjes, teksa theksoi se partneri i saj, shtetasi Halil Koka, 40 vjeç, kishte qenë pasagjer.

Por disa dëshmitarë në vendin e ngjarjes, i pohuan grupit të hetimit se kishin parë mjetin me shpejtësi skëterrë e më pas nga vendi i shoferit kishte dalë një djalë, shkruan "Panorama".

Pas konfuzioneve nga Parroj, e cila mori përgjegjësinë e aksidentit se ishte ajo në timon dhe dëshmisë së qytetarit, Policia i mori në pyetje veçmas Kokën dhe Parrojn në Policinë e Kavajës. Ndodhur para fakteve e dëshmive të dhëna, në dhomat e ndara të Policisë, 30-vjeçarja ka pranuar se kishte mashtruar në dëshminë e dhënë në fillim për ngjarjen.

E reja ka pohuar se ka qenë shoqëruesi i saj, Halil Koka, ai që i ka kërkuar asaj, që të merrte përgjegjësinë e aksidentit, duke i premtuar se do të paguante dhe se ajo nuk do të bënte burg.

Pas kësaj dëshmie të Ilda Parroj, Policia ka marrë në pyetje edhe të dyshuarin Halil Kokën, të cilin e ka vënë përballë dy dëshmive, të qytetarit dhe shoqërueses së tij. I gjendur para fakteve të pakundërshtueshme, 40- vjeçari durrsak është detyruar të pranonte të vërtetën, se ka qenë ai drejtues i mjetit dhe u arrestua si shkaktar i aksidentit. Burime nga grupi i hetimit thanë se, Kokës i ishte bllokuar patenta nga Policia e Durrësit për tejkalim shpejtësie vetëm dy ditë më parë. Kjo dyshohet të ketë qenë edhe shkaku që ai tentoi t’ia hidhte përgjegjësinë vajzës me të cilën shoqërohej, pasi, në të kundërt, penalizimi për të do të ishte akoma edhe më i rëndë./L.P./Dritare.net