Për 15 vjet bëri 4 orë rrugë në këmbë për të shkuar në punë, historia frymëzuese e mësueses nga Devolli!
Dritare.net
“Jeta e njeriut i ngjan një filmi, ku një pjesë e tij është e mbushur me gëzime dhe lumturi dhe pjesa tjetër e frikshme dhe e trishtueshme. Përballë këtij realitetit të rëndësishëm është që njeriu të ketë kurajo dhe optimizëm për të mposhtur çdo sfidë që i del përpara”, kështu e nis rrëfimin e saj, Mësuesja Florenca Shaholli për gazetaren Marina Kërçeli, në Dritare.net.
Në këtë intervistë, mësuesja tregon një pjesë të jetës së saj e cila ishte sa e vështirë dhe aq e bukur, ku 15 vite më parë u detyrua të merrte një vendim lidhur me të ardhmen e saj profesionale por edhe atë të fëmijëve të saj.
“Më 6 mars 2008 kur mora në dorë vendimin nga Zyra Arsimore Devoll për të punuar mësuese në ciklin e ulët në shkollën 9-vjeçare në Arzë, u gjenda përballë një dileme të madhe nëse do pranoja të shkoja në atë fshat të largët malor apo të rija pa punë. Urdhri ishte i prerë nga zyra Arsimore, ose aty ose vend tjetër s’ka”, vazhdon rrëfimin e saj mësuesja.
Vështirësia për këtë vendim qëndronte tek fakti, se shkolla ndodhej në një fshat shumë të largët në zonën e Devollit dhe kilometra të tëra larg familjes dhe banesës së saj, ku në ato vite transporti ishte po ashtu i vështirë.
“Teksa isha në dilemë për të marrë vendimin apo jo para syve të mi më dolën 5 vajzat e mitura, ku më e madhja 14 vjeç dhe më e vogla 4. Ato kishin nevojë për përkujdesjen e nenës, ta kishin pranë, të ndienin dorën e ngrohtë të saj, të ndanin gëzimet dhe trishtimet. Por arsyeja më e fuqishme për mua ishte të punoja për të siguruar të holla”, tregon Florenca e cili vendosi të pranojë vendimin e marrë nga zyra Arsimore dhe të largohej për vite të tëra çdo ditë nga vajzat e mitura dhe bashkëshorti, për të siguruar financat për rritjen dhe edukimin e tyre.
E pyetur se si ishin vitet në Arzë, në fshatin shumë kilometra larg shtëpisë ku dhe rruga për të shkuar në shkollë, për të dhënë dije ishte tejet e vështirë, mësuesja tregon se dëshira për t’i arsimuar nxënësit po ashtu ishte një shtysë e madhe.
“Meraku im ishte që fëmijët e këtij fshatin malor të mësonin sa më shumë dhe të vazhdonin shkollën e lartë, një dukuri që ishte shumë e rrallë në këtë fshat. Kjo më bëri që dhe në ditët më të vështira të mos mungoja asnjë ditë në shkollë. Pas 7 vitesh rresht aty më transferuan diku tjetër, por me vete mora respektin dhe dashurinë e banorëve dhe nxënësve aq shumë të etur për dije. Pas kaq vitesh ndjeva gëzim të madh në shpirt kur mësova që nxënësit e mi shumica përfunduan studimet e larta”, u shpreh mësuesja.
Lidhur me vështirësitë që kaloi për të shkuar në shkollë aq kilometra larg, mësuesja tregon për Dritare. Net se kolektivi aty përbëhej nga 3 burra dhe vetë ajo grua ndërsa për vite të tëra çohej në orën 04:00 të mëngjesit për të ecur në këmbë deri në pikën ku mund të siguronte transport.
“Çohesha në orën 4 bashkë me bashkëshortin dhe ecnim rreth një orë në këmbë. Paguaja taksinë për të më çuar deri në një fshat tjetër, aty më duheshin edhe 2 orë të tjera për të arritur. Rruga ishte malore, me kthesa të shumta me shkurre dhe shkëmbinj, që të ngjallnin frikë.
Rruga ishte e vetmuar, aty mund të lëcizte ndonjë kamionin i rëndë që transportonte dru zjarri apo tufa me bagëti ku mu desh të përballesha me qentë që ruanin bagëtitë. Dimri ishte i vështirë, kishte raste që bora arrinte trashësi 1 metër. Në këto kushte u detyrova të qëndroja aty në një familje gjatë gjithë stinës së dimrit, kjo më dha mundësinë që t’i përkushtohesha akoma dhe më shumë nxënësve duke i ndihmuar edhe pasdite”, tregon ndër të tjera mësuesja.
Pjesa e dytë e intervistës:
Prej sa vitesh e ushtroni profesionin e mësuesit?
E kam vitin e 16-të që ushtroj këtë profesion!
Më tregoni për veten dhe familjen tuaj, si ka qenë jeta në Korçë?
Unë zakonisht kam bërë një jetë normale. Shtylla kryesore në shtëpi ka qenë mirëkuptimi. Bashkëshorti im më ka mbështetur gjithmonë për të mirën e familjes. Jam e lumtur që kam pesë vajza të edukuara dhe të shkolluara. Vajzat i kam në Tiranë, në punë dhe në shkollë dhe unë tani jetoj me bashkëshortin, në fshatin Çipan. Ku natyra është e bukur dhe ajri i pastër që na falin vetëm shëndet.
Si i kujtoni vitet tuaja si arsimtare? Cilat janë sfidat më të mëdha që keni kaluar?
Të jesh arsimtar do të thotë të jesh njeri më i nderuar në shoqëri, pikë referimi për të tjerët. Në duart e mësuesit është e ardhmja e brezit të ri. Si do të jetë rinia sot, ashtu do të jetë edhe e ardhmja e vendit nesër. Vitet e mia në arsim kanë qenë dhe janë shumë të bukura, plot emocione dhe sfida. Me nostalgji kujtoj vitet që kam kaluar në vështirësinë e punës, më lehtësonin shumë edhe sjellja dhe dëshira e fëmijëve për të mësuar dhe mikpritja e ngrohtë e prindërve të tyre të komunikuar.
Më tregoni mbi eksperiencën e mësimdhënies në Arzë, si e morët vendimin për të qenë larg familjes dhe si ka qenë eksperienca?
Me gjithë kushtet e vështira familjare, pasioni dhe dashuria për punën e mësuesit, më detyruan për të marrë vendimin për të shkuar aty. Kam punuar me pesë klasa me sistem 6-të orësh duke qenë këmbëngulëse që fëmijët të arrinin rezultate dhe një sjellje shembullore.
Qëndrimi në Arzë dhe mikpritja e banorëve aty për vite të tëra?
Dyert e arzarëve ishin të hapura sidomos për një mësues. Një vizitë në shtëpinë e tyre është privilegj për ta. Në gjithë ato vite që qëndrova, unë pothuajse kam hyrë në çdo shtëpi. Më shumë kam qëndruar në shtëpinë e nënë Bitjes, Fëllëzës, Florës, Albinës, Pranverës etj. Shtëpitë në këtë fshat ishin dykatëshe, të ndërtuara me gurrë, me dritare të vogla dhe çati të mbushura me plloça. Në qoftë se do të gjesh zakonet më të bukura të trojeve shqiptare, shko në Arzë, aty do t’i gjesh. Në fillimin e vjeshtës çdo familje përgatitej për stinën e dimrit, rosnicat, trahananë, turshitë, pastërmaja etj. Netët e dimrit të gjatë i kalonin në vizita tek njëri-tjetri, duke luajtur domino, letra dhe duke treguar barsoleta.
Çfarë ju frymëzon më shumë në punën që bëni?
Kënaqësia për të pasur nxënës të shkëlqyer në mësime dhe në sjellje. Të jenë të denjë për veten, familjen dhe shoqërinë.
Çfarë mendoni se ka ndryshuar tek brezat në lidhje me edukimin?
Edukimi në breza ka ndryshuar bashkë me kohën. Në brezat e thyer në moshë, edukimi bëhej në mënyrë të centalizuar kurse sot jemi në demokraci dhe në edukimin e brezave të rinj përveç familjes dhe shkollës, rol të rëndësishëm luan edhe shoqëria dhe rrjetet sociale.
A do e përsëritnit sërish eksperiencën e të qenurit mësuese?
Do të dëshiroja që pavarësisht moshës, të isha mësuese gjithë jetën. (Do të jem me nipërat dhe mbesat e mia të ardhshme).
Cili është mesazhi që jepni?
Njeriu me mund dhe përpjekje arrin çdo gjë. Shkolla për të rinjtë duhet të jetë prioritet kryesor. Mësimi, mësim dhe gjithnjë mësim. Pra: Drita e diturisë përpara do na çojë!/M.K-dritare.net