Veliaj në seancë: Sot është bërë grepi më i shtrenjtë se peshku që pretendoni se keni kapur
Dritare.net

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u mbyll këtë të martë shqyrtimi paraprak i çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u shoqërua me debate mes palëve. Gjatë fjalës së tij Veliaj ka bërë kritika ndaj procesit hetimor, duke vënë në dukje koston financiare për shtetin shqiptar.
“Një vit burg, dy vite e gjysmë hetime i kanë kushtuar shtetit shqiptar mbi 1 milion euro, me rroga prokurorësh, hetuesish, gjyqtarësh, logjistikë, transport, administratë e ekspertë. Sot është bërë grepi më i shtrenjtë se peshku që pretendoni se keni kapur,” është shprehur Veliaj.
Pas përfundimit të seancës, gjyqtarja Etleva Deda u tërhoq për të marrë vendim nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim të plotë.
Seanca e radhës, ku pritet të shpallet vendimi, është caktuar për 9 shkurt./L.F-dritare.net