Na ndiqni edhe në

Bota

Tjetër skandal mbretëror në Norvegji. Djali i Princeshës arrestohet para gjyqit për përdhunim!

Tjetër skandal mbretëror në Norvegji. Djali i Princeshës

Marius Borg Høiby, djali i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është arrestuar nga policia nën dyshimin e sulmit, vetëm pak ditë para se të përballet në gjyq në Oslo me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e katër grave.

29-vjeçari u la në paraburgim për katër javë. Policia njoftoi se akuzat e fundit përfshijnë përdorimin e një thike dhe shkeljen e një urdhri ndalimi, ndërsa ekziston rreziku që ai të kryejë përsëri veprime të ngjashme.

Ky është arrestimi i katërt i Høiby që nga gushti i vitit 2024, kur u akuzua për sulm ndaj një gruaje me të cilën kishte pasur një lidhje. Ai ka mohuar akuzat më serioze, por ka pranuar disa nga shkeljet më të lehta.

Rasti ka hapur edhe një herë debatet rreth familjes mbretërore norvegjeze. Publiku po përballet gjithashtu me zbulime që tregojnë se Princesha Mette-Marit ka folur për tre vite me Jeffrey Epstein, nga viti 2011 deri në 2014-ën.

Princesha ka pranuar se ka bërë “gjykim të dobët” në këto kontakte dhe ka shprehur solidaritet me viktimat e abuzimeve të kryera nga Epstein, duke e cilësuar kontaktin si “thjesht të turpshëm”. Raportohet se ajo ka qëndruar katër net në shtëpinë e Epstein në Florida, ndërsa ai nuk ishte aty, dhe ka pyetur nëse ishte e përshtatshme që një nënë t’i sugjeronte djalit të saj 15-vjeçar një sfond muri me dy gra të zhveshura që mbanin një dërrasë sërfi.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre ka thënë se pajtohet me deklaratën e princeshës për “gjykim të dobët”, duke bërë një kritikë të rrallë publike ndaj veprimeve të saj.

Historiani dhe korrespondenti mbretëror për TV2, Ole-Jørgen Schulsrud-Hansen, ka theksuar se ka shumë pyetje për rolin e këshilltarëve mbretërorë dhe të zyrës së jashtme gjatë komunikimeve me Epstein përmes email-it zyrtar mbretëror. Ai shton se, edhe pse monarkia përpiqet të distancohet nga gjyqi i djalit të princeshës duke e konsideruar atë qytetar privat, Mette-Marit nuk mund të konsiderohet kurrë private, pasi çdo veprim i saj ka ndikim publik dhe lidhet me imazhin e Norvegjisë.

Princesha Mette-Marit, e cila do të bëhet mbretëreshë e ardhshme e Norvegjisë, ka një rol të rëndësishëm shoqëror si mbështetëse e disa organizatave, përfshirë Kryqin e Kuq. Ajo po përballet gjithashtu me problemet shëndetësore nga fibroza pulmonare dhe mjekët po e përgatisin për t’u vendosur në listën për transplant mushkërie.

Marius Borg Høiby ka qenë katër vjeç kur Princesha u martua në familjen mbretërore dhe tani rasti i tij ka vendosur familjen mbretërore në qendër të vëmendjes së medias dhe opinionit publik në Norvegji dhe më gjerë./K.C/dritare.net