Nga Lindita Bushgjokaj
Një bukuri që do ta lakmonte çdo kalimtar! Ndonëse u rrita me rrëfimet e gjyshit dhe babit për vendlindjen time, kurrë nuk do e kisha imagjinuar një bukuri të tillë deri sa e pashë me sytë e mijë!
Në këtë pikë të jetës dhe karrierës, një thirrje shpirti më zgjoi dëshirën të njoh më shumë vetën dhe prejardhjen time, që i ka fillesat në Nikaj-Mërtur, fshati Bëtoshë ku unë linda. Ende pa mbushur 9 muajshe, prindërit e mijë, bashkë me vëllezërit dhe motrat, ashtu të vegjël, marrin rrugën për një jetë më të mirë ekonomikish në drejtim te zonave fushore, ne nje fshat të vogël që njihet me emrin Dukagjin, në Komunën Thumanë.
Në vitin 1991, ndonëse vendi po lulëzonte drejt zhvillimeve demokratike, me një liri disi ma të madhe veprimi, trazirat dhe luftërat ishin ende prezente, duke sjellë pasiguri të madhe ne çdo familje shqiptare. Unë mund të them që linda në kohë paqeje, ose te paktën kështu kishte zëra se një erë ndryshimi po ndodhte, ndaj me këtë frymë jetësore u edukova për ardhjen time në këtë botë. Gjatë rritjes, rritej dita-ditës kureshtja dhe dashuria për vendlindjen time, Nikaj-Mërturin. Dy fise që mbijetuan në çdo epokë, përballë çdo stuhie politike dhe sociale. Data 7 shtator e çdo viti është e shenjtë në familjën time, pasi simbolizon një natë të madhe feste, e quajtur “Zoja e Mërturit”.
Një traditë familjare që i përket fistit tonë dhe trashëgohet denjësisht edhe sot e kësaj dite. Asokohë, isha vetëm 7 vjeçe, e rritur me disa ngjarje te trishta në fshatin tim. Ishte viti i rebelimit 1997-te, e njohur ndryshe si Kriza piramidale, luftë civile dhe një luftë antiqeveritare që solli trazira të jashtëzakonshme në çdo fshat dhe qytet të vendit. Unë dhe bashkëmoshatarët e mijë u rritëm mes plumbash, por nuk e ndaluam hovin për shkollim dhe edukim. Mbaj mend që shumë mikesha të moshës time e ndërprenë rrugën e dijës për të shpëtuar nga kthetrat e vdekjës! Të gjithë ishim të kërcënuar! Sa herë kujtoj këtë vit te trishtë në mendje më kalojnë qindra episode të frikshme, histori vrasje dhe makabre, ku shumë e shumë nëna panë fëmijët e tyre të vdekur nga breshëri plumbash qorre të asaj kohë.
Çdokush kishte një armë në dorë, aq sa u bë si mjet normal në familjet e fshatit tim, ku fëmijët e shikonin si një lojë në kohën e tyre të argëtimit. Me një fëmijëri të tillë u rrita, mbarova vitin e parë të shkollës së mesme në Mamurras, me shumë veshtirësi ekonomike, në luftë për njohjen e vetës, pasigurisë së jetës dhe mentalitetit të fshatit. E gjithë rrugëtimi im intelektual do te finalizohet në Tiranë, pas zhvendosjes së radhës me familjen time në vitin 2005. Nje tjetër moment i rëndësishëm është përfundimi me sukses i studimeve të larta në fushën e Gazetarisë dhe Komunikimit. Pas diplomimit me shumë pasion, u angazhova totalisht në mediat e kryeqytetit deri në vitin 2019-të. Në bisedat familjare nuk mungonin copëza rrefimesh për Nikaj-Mërturin dhe fshatrat e saj. Motra ime e madhe rrefen mes lotësh sa herë që ndan kujtime të fëmijërise. Ajo më tregon historitë dhe përrallat e gjyshit rreth oxhakut në kullën tonë, e cilësuar përjetesisht si banesa e parë shqiptare. Në moshën 22 vjeçare, karriera, kurreshtja dhe pak fati më çuan drejt udhëtimit të parë profesional në Nikaj-Mërtur. Ishte hera e parë, falë një ekipi punë nga nikaj-mërturas në bashkëpunim me GIZ-Albania, që e promovuan këtë zonë. Po atë dite, kjo krahinë e bekuar u shpall Park Natyror Rajonal. Unë pata fatin të prezantohem përmes këtij momenti të bukur me vendlindjen time!
Nuk ndalova me kaq! Këto përvoja lanë mbresa dhe krijuan personalitetin tim, si dhe kureshtjen për të hyrë në brendësi të jetës dhe problemve të kesaj trevë katolike. Mesova se një bukuri të tillë e ka lakmuar çdo kalimtar, sidomos studiuesit e huaj, si Nopçe dhe Edit Durham, që lanë shënimet e tyre jetesore. Pasi krijova përvojën time profesionale, në përfundim të ciklit të dytë të studimëve, u frymëzova, nisur edhe nga problematika, të eksploroj nga afër kullat në Nikaj-Mërtur. Profesori i diplomës u mahnit nga kjo temë me interes kulturor dhe për hir të së vertetës, ky studim pati impakt dhe më hapi shumë dyer suksesi në karrierën time. Gjatë bisedave me banorët e kullave dhe personalitete të kohës u trishtova shumë, pasi pashë që kulla me vjetërsi 300 vjeçare po shkonin drejt shkatërrimit. Bashkë me to po zhduket trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e historisë tonë kombëtare. Fatkeqësisht ende nuk ka një plan për restaurimin e tyre./dritare.net