
Çfarë prodhoi Samiti i Londrës për Ukrainën dhe Evropën!
Dritare.net
Nga Ardiana Faja*
Pas tronditjes nga skena brutale diplomatike ne zyrën ovale te Shtëpisë së Bardhë, mes Volodymyr Zelensky, Donald Trump dhe JD Vance, evropianët po prisnin me ngulm një reagim të fortë nga BE-ja. Kjo ndodhi dje në Londër, ku u mblodhën 15 vende, në prani të presidentit ukrainas i sapo kthyer nga përplasja e jashtëzakonshme në Washington. Në Samitin e Londrës, nga njëra anë ekzistonte dëshira për të riparuar, nëse është e mundur, dëmet e takimit famëzi në Shtëpinë e Bardhë dhe nga ana tjetër, nevoja për të përgatitur Evropën për një vazhdim me opsionin më të keq pa Amerikën dhe me opsionin e zbutur me më pak Amerikë.
Të dy objektivat mund të duken kontradiktore, por ato pasqyrojnë realitetin e një Evrope e cila ende ka vështirësi të jetojë pa mburojën amerikane, e cila ka qenë prezente për më shumë se shtatë dekada në Evropë. Ky realitet nuk ndryshohet në çast dhe Evropa po paguan çmimin e mosparashikimit mjaftueshëm. Vetëm Presidenti Macron, ka meritën që në 2017, të një vizioni koherent dhe të qartë, të validuar nga zhvillimet gjeopolitike e sotme, kur i bëri thirrje vendeve të BE-së të mobilizoheshin për të siguruar autonominë industriale, ekonomike, mbrojtëse për ta shndërruar BE-në në një fuqi gjeopolitke dhe gjeoekonomike të pavarur nga SHBA -të.
Po vizioni i tij nuk u konsiderua me seriozitetin e duhur nga vendet e tjera të BE duke pasur fatin e së vërtetës që thuhet më shpejt se duhet dhe vetëm nga një person.
Çfarë mesazhesh dha ky Samit në formë dhe përmbajte ?
Skenografia e Samitit ishte e llogaritur me shumë kujdes ku çdo detaj dhe imazh përcillte mesazhe politike.
Fotoja e përbashkët: një manifest vizual i pastër. Franca, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Polonia dhe Finlanda ne vijën e parë, duke u afishuar si Quint -i i Evropës për mbrojtjen. NATO në sfond, pothuajse e zbehur.
Tryeza e Samitit: forma rrethore që krijon konsensus, u zëvendësua me atë të U-së solemne, për të theksuar se s’bëhet më fjalë për debat, po për përgjegjësi që duhet marrë.
Skena finale, emocionuese dhe shumë e goditur: kryeministri anglez Keir Starmer duke shoqëruar presidentin Zelensky deri tek makina e tij. Një përgjigje e qartë ndaj poshtërimit të Kievit në Washington, ky zyrtarët e Ukrainës u lanë pas derës dhe Presidenti Zelensky u dëbua turpshëm. Por, nëse vënia në skenë ishte kaq e suksesshme dhe e zgjuar me mesazhin e qartë se Evropa vazhdon të mbështesë Ukrainën, e tillë nuk ishte përmbajtja e Samitit ku përsa i përket aspekteve konkrete dhe afatgjata të mbrojtjes së Evropës, duke ndjerë ende shumë hezitim.
Së pari a është e mundur të riparohet ajo që ndodhi të premten, 28 shkurt, mes Presidentit Trump dhe atij ukrainas Zelensky ?
Disa liderë evropianë po përpiqen ta bëjnë këtë: kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila ka marrëdhënie të mira me Donald Trump dhe sidomos me Elon Musk apo edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, holandezi Mark Rutte, do të përdorin ndikimin e tyre për të riparuar situatën. Një qëndrim më i ashpër i Evropës pas dhunës verbale të presidentit dhe zëvendës presidentit të SHBA-së ndaj kreut të shtetit mik, i cili është në luftë prej tre vitesh, do të ishte totalisht i justifikuar. Por të gjithë e dimë se Evropa e ka jashtëzakonisht të vështirë nëse Amerika ndalon ndihmën financiare dhe sidomos atë ushtarake ndaj Ukrainës. Disa sisteme amerikane si mbrojtja kundërajrore apo raketat nuk prodhohen në Evropë. Prandaj Samiti i Londrës, u përpoq të ruajë angazhimin amerikan duke lëshuar pe përballë sjelljes së padenjë të liderëve më të lartë amerikanë.
A është kjo një shenjë dobësie e Evropës ?
Le ta quajmë më mirë pragmatizëm duke pritur kohë më të mira. Një plan franko – britanik për Ukrainën, për një armëpushim njëmujor dhe garancitë e famshme të sigurisë, do ti paraqitet Ëashingtonit, me shpresën për të shmangur më të keqen në takimin e së ardhmes mes Trump dhe Putin. Por sipas vetë diplomatëve, nuk ka asnjë shenjë se Ëashingtoni është gati për këtë. Madje në rrjetin social X, Elon Musk i hedh benzinë zjarrit kur shkruan se ka ardhur momenti që Amerika të largohet nga NATO. Forcimi i Evropës ishte tema tjetër madhore e Samitit të Londrës, me ndjenjën e urgjencës dhe peshën e momentit historik. Fillimisht duhet theksuar, përsa i përket mbrojtjes: nuk ishte BE që u mblodh, por një shtyllë evropiane e NATO-s, pa SHBA-në po me Mbretërine e Bashkuar, Norvegjinë, Kanadanë dhe Turqinë, thënë me fjalorin diplomatik, vendet « ëilling and able » - ata që duan dhe që munden.
Pro – rusët si Hungaria e Orabit, nuk u ftuan. Synimi është mobilizimi i një fondit ë konsiderueshëm prej 200 miliardë euro, fillimisht sipas deklaratës së Presidentit Macron në gazetën « Le Figaro » - për të financuar përpjekjen evropiane për mbrojtjen me ose pas SHBA-në. Por kjo duket ende larg, vetë presidenti Macron pohoi disa dite më parë se do duhen pesë deri në dhjetë vjet për të arritur këtë objektiv. Koha e humbur për të ndërtuar autonominë në planin e mbrojtjes, e detyron BE-në të uli kokën përballë një Amerike e cila po duket se nuk e ka më në prioritetet e saj. Brutaliteti i administratës amerikane është shuplakë kaq e fortë, sa zgjimi strategjik i Evropës është real, i vonuar por i vërtetë.
Për autoren*
Ardiana Faja, lektore e gjeopolitikës në Akademinë e Grënobles, zëvendës presidente e House of Europe Lyon /Valence, konferienciere për Evropën e akredituar nga Komisioni Evropian!/dritare.net

















