Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Elementi paragjykues “gender” në rastet e ekstremizmit të dhunshëm

Elementi paragjykues “gender” në rastet e ekstremizmit të

Nga Elion Kollçaku

Rezoluta 1325 “Gruaja, Paqja dhe Siguria” u miratua më 31 Tetor 2000 nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe adreson për herë të parë në histori ndikimin e veçantë dhe të ndryshëm që konfliktet e armatosura kanë tek gratë dhe vajzat.

Kjo rezolutë njeh se konflikti i efekton gratë dhe vajzat në mënyrë të ndryshme nga burrat dhe djemtë dhe se angazhimi gjithëpërfshirës i grave në parandalimin, zgjidhjen e konfliktit si edhe rindërtimi dhe përfshirja e tyre është integrale për paqen dhe sigurinë afatgjatë. Rezoluta konsideron si shumë të rëndësishme rolin e grave në parandalimin, zgjidhjen e konfliktit dhe rindërtimin e paqes.

Thekson edhe përgjegjësinë e të gjitha shteteve që t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të ndjekin penalisht personat përgjegjës për gjenocide, krime kundër njerëzimit, krime lufte duke përfshirë dhunën seksuale dhe forma të tjera të dhunës kundër grave dhe në këtë kuadër thekson nevojën që këto krime të përjashtohen nga amnistia.

Kjo rezolutë, pasuar edhe nga 9 rezoluta të tjera të Kombeve të Bashkuara, i jep përparësi lidhjes së drejtpërdrejtë mes të drejtave të grave dhe çështjetve të sigurisë njerëzore. Shqetësime të një karakteri gjinor dhe pjesëmarrës në lidhje me çështje të sigurisë njerëzore në gjendje paqeje ose lufte - si për shembull përdorimi i dhunës seksuale si taktikë lufte (veçanërisht ndaj grave, por edhe burrave), përjashtimi i grave nga nivelet vendim-marrëse në shoqëri dhe nevoja për pjesëmarrje në proceset e paqes dhe zgjidhjes së konflikteve - janë të gjitha çështje të adresuara fillimisht në Rezolutën 1325 dhe të përforcuara në Rezolutat pasuese të saj.

Nuk mungojnë rastet kur gratë janë përfshirë edhe në role aktive si rekrutuese apo inkurajuese të akteve të dhunshme. Që të kuptosh këtë rol, duhet ta shohësh gruan jo në role sterotipike por si një individ që merr vendime. Shpesh gratë shihen si “gra” dhe “nëna” por jo si individë me të drejtë zgjedhje dhe fuqie.

“Rekrutuesit e grupeve terroriste, sipas analizave të gazetarëve apo grupeve të kundër-zbulimit, po shfrytëzojnë ndërkohë dinamikat gjinore dhe pasojat e dhunës strukturore ndaj shumë grupeve vulnerabël (përfshirë dhe gratë) në mënyra shumë të sofistikuara.”- thotë Eniana Koçiaj, kërkuese mbi çështjet gjinore dhe të ekonomisë politike.

Ajo shton se rekrutuesit u premtojnë grave një pozicion larg brishtësisë apo viktimizimit që hasin në përditshmërinë e jetës së tyre duke kthyer në avantazh shtypjen e vazhdueshme ekonomike, fetare, kulturore, etj., që shumë gra hasin në familje apo në jetët e tyre. Ndërkohë disa dëshmi të grave luftëtare të riatdhesuara, tregojnë se shumë prej tyre u janë bashkuar grupeve terroriste duke dashur t’u arratisen roleve tradicionale shtëpiake. Ato kanë parë në organizime të tilla, një mundësi të munguar për të drejtuar, për të udhëhequr.

Studime të ndryshme kanë zbuluar se gratë si edhe burrat, luajnë rol të rëndësishëm në grupet ekstremiste edhe pse këto role janë të ndryshme.

Sipas një kumtese akademike të UN Women, në programet e ndërhyrjes duhet të llogariten

pritshmëritë gjinore dhe të mos bien në grackën e stereotipizimit të grave pasi vetëm ua kanë shpërlarë trurin ose janë kryesisht pasive në radikalizimin e tyre.

Koçiaj thotë se shpjegimet për pjesëmarrjen e grave në terrorizëm janë të tejmbushura me stigmatizime gjinore dhe anashkalojnë veçori shumë-dimensionale të përfshirjes së tyre. Veprimet e grave dhe vajzave jo rrallë herë shihen në thelb si kopjim i veprimeve të homologëve të tyre burra.

“Arsyet e pjesëmarrjes së grave në akte terroriste arsyetohen mbi një premisë të fortë androcentrike (modeli i burrit si normë), shihen si devijim ose përshtatje ndaj këtij modeli - siç shihet për shembull ekonomia e tregut dhe integrimi në BE në shoqëritë tranzitore si ajo e jona, një pikë mbërritje, një normë dhe model për t’u ndjekur - pa vënë në diskutim as modelin dhe as rrugën që të çon drejt tij.”-shton Koçiaj.

Ndërkohë, Rozana Baci, Eksperte për Shoqërinë civile dhe Siguri nga Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm- Shqipëri, thotë se referuar numrit jo shumë te madh të tyre të përfshira në çështje P/CVE (Parandalimi dhe kundërveprimi i ekstremizmit të dhunshëm), perceptimet kryesisht referojnë që gratë/vajzat nuk kanë rol parësor në këtë proces.

“Është e vërtetë që nuk kanë rol aktiv, por ky perceptim i gabuar nuk ndihmon në procesin parandalues, duke aftësuar ato vetë, të kuptojnë të shtrenjtit e tyre në çfarë drejtimi po angazhohen. Në rastin kur ato kanë rol aktiv parësor, rreziku më i madh është që shtrirja e një mendimi ekstrem mund të përcillet nga gratë/vajzat mes tyre por dhe tek fëmijët. Në këto kushte mund të rezultojë një bërthamë familjare e cila ka të gjithë individët e prekur nga fenomeni dhe parandalimi, shkëputja, rehabilitimi dhe riintegrimi bëhen më të vështirë për t’u zhvilluar pasi mungon një figurë kyçe nga brenda që mund të ndërtojë një marrëdhënie besimi në të gjitha proceset e sipërpërmendur (dhe kryesisht është nëna, motra, bashkëshortja, kushërira apo gjyshja)”-shton Baci.

Avokatja, Aurela Bozo, thotë se rekrutimi i vajzave dhe grave ndryshe nga ai i burrave ndodh më shumë se në rrugë dhe vendet e besimit përmes mediave sociale, online, në shtëpi. Pra,

mënyrat e rekrutimit mund të jenë të ndryshme. Por nga ana tjetër gratë njësoj si edhe burrat mund të jenë nën ndikimin e faktorëve shtytës dhe tërheqës që i çojnë në ekstremizëm të dhunshëm dhe radikalizëm.

Një nga modelet që kanë ndarë me OSHC-të në kuadrin e trajnimeve të organizuara është modeli “Angazhim, Synim dhe Mundesi/UK”. Sipas këtij modeli, angazhimi përfshin faktorë të zakonshëm që i motivojnë individët të jenë të interesuar dhe të përfshihen në grupe të EDH (Ekstremizmit të Dhunshëm), për kauza dhe ideologji. Synimi përfshin faktorë të zakonshëm që kontribuojnë dhe i bëjnë individët të përgatiten ose të dëshirojnë të mbështesin ose t’i shkaktojnë dëm të tjerëve në emër të një grupi të EDH, kauze apo ideologjie. Faktorët e mundësisë përfshijnë faktorë të zakonshëm që mundësojnë një akt të dhunshëm në emër të një grupi të EDH, kauze ose ideologjie. Këta faktorë prekin si gratë edhe burrat, por kemi edhe specifika, si faktorë të caktuar të mundësisë si aksesi në armë, eksperienca të mëparshme ushtarake mund të prekin më shumë burrat se gratë.

“Burrat dhe gratë ndajnë shumë faktorë të njëjtë shtytës dhe tërheqës që cojnë në

angazhimin në ekstremizëm të dhunshëm, megjithatë ata ndryshojnë në shtrirjen e tyre dhe

lidhjen reciproke nga një individ tek tjetri”. (Franziska Praxil- Tabuchi, PEACE AND SECURITY SECTION, UN WOMEN New York, Pril 2019.)

Nga Qendra per Nisma Ligjore Qytetare, dy strategji për promovimin e barazisë gjinore dhe eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit bazuar në seks dhe gjini janë rritja e ndërgjegjësimit gjinor dhe integrimi gjinor;

Ndërgjegjësimi gjinor referohet në aftësinë për ta parë shoqërinë nga perspektiva e roleve gjinore dhe për ta kuptuar se si kjo sjell efekte në nevojat e grave krahasuar me nevojat e burrave. Kurse, integrimi gjinor përfshin integrimin e perspektivës gjinore në përgatitjen, hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave, masave rregullatore dhe programeve me qëllim barazinë midis burrave dhe grave dhe luftimin e diskriminimit.

Një gjë duhet të kuptohet përfundimisht, ekstremizmi i dhunshëm nuk ka gjini dhe roli “gender” nuk duhet të keqkuptohet e as keqinterpretohet./dritare.net