
Shkolla e Partisë, arkitektët kundër tjetërsimit. Ja si do bëhet godina e ndërtuar në komunizëm
Dritare.net

“Shkaku për këtë thirrje të fortë vjen nga një njoftim që është publikuar në shtyp, por më pas është konfirmuar nga verifikimet e bëra në vend, ku është hasur një tendencë mjaft vulgare për transformimin rrënjësor të arkitekturës së godinës së ‘Ish – Shkollës së Partisë’ në një arkitekturë të çuditshme neoklasike”, thuhet në njoftim. Sipas arkitektëve, objekti i projektuar nga arkitekti Koço Çomi gjatë periudhës së diktaturës, tashmë radhitet si një nga objektet më simbolike të kohës, pjesë dinjitoze e historisë së zhvillimit të arkitekturës shqiptare.
“Për gjuhën moderniste arkitektonike të përdorur apo për zgjidhjet funksionalo – hapësinore të artikuluara në pjesët e brendshme, mund të thuhet se përtej vështirësive të periudhës kur është ndërtuar, objekti është tejet i arrirë”, thonë ata duke vlerësuar se ky objekt duhet të ishte marrë në mbrojtje me kohë nga shteti e me siguri duhej restauruar, siç duhet të ndodhë edhe me prezencat e tjera me vlera të veçanta arkitekturore. Për ta, është plotësisht i patolerueshëm dëmtimi dhe transformimi i tij pa apo me leje nga autoritetet e shtetërore.
“Vitet e tranzicionit nuk kanë qenë aspak të sjellshme, në të gjitha drejtimet e fushës së arkitekturës dhe urbanistikës, por sidomos në atë të ruajtjes së një mozaiku godinash tejet interesante, të ndërtuara në vitet 1945-1990”, thotë shoqata, e cila kujton se “ndërtesa të shumta me funksione të ndryshme publike, apo rezidenciale janë përçudnuar e transformuar shpesh edhe në trajta të paidentifikueshme e pakthyeshme në imazhin e tyre primar”.
Arkitektët vërejnë se fenomeni në dy dekadat e fundit, në shumicën e rasteve nuk ka hasur asnjë rezistencë nga institucionet, qytetarët apo edhe nga komuniteti i arkitektëve, si pasojë e një degjenerimi kulturor e shpirtëror të përgjithshëm. Shpesh ato janë kryer me leje ndërtimi, të cilat nuk merrnin në konsideratë vlerat arkitektonike e urbanistike të objektit apo së pakti përfshirjen ose opinionin e projektuesit, ku në shumicën e rasteve ishin akoma në jetë e aktivë në profesion.
THIRRJA
Arkitektët vërejnë se ka ardhur koha për një shkundje të fortë jo vetëm shtetërore, institucionaloadministrative, por edhe një ndërgjegjësim kulturor gjithëpërfshirës për evidentimin, rivlerësimin dhe futjen e tyre brenda një programi ruajtjeje e restaurimi për brezat e ardhshëm.
Siç thotë Jean Nouvel: “‘Qyteti është një libër guri’ dhe ne e kemi të domosdoshme ruajtjen e të gjitha fletëve të tij, që ky libër të jetë i lexueshëm në dekadat e ardhshme. I bëjmë thirrje urgjente Ministrisë së Kulturës që të nisë një proces njohjeje, studimi e promovimi të kësaj arkitekture dhe kur duhet, restaurim integral të saj”.
Shoqata e Arkitektëve në fund u bën thirrje urgjente gjithashtu të gjitha bashkive apo komunave të mbrojnë e të përfshijnë si pjesë historike në planet e tyre rregulluese të gjitha këto godina dhe hapësirën përreth tyre. Ata ftojnë arkitektët, të pasionuarit e arkitekturës dhe qytetarë e ndryshëm të mbrojnë sa më shumë kryeveprat e arkitektëve shqiptarë, si pjesë e identitetit të fortë të qyteteve tona, siç ndodhi edhe me denoncimin e transformimit të godinës së Ish-Shkollës së Partisë.

















