Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Trump dhe trashëgimia e vajtueshme në politikën e jashtme!

Trump dhe trashëgimia e vajtueshme në politikën e jashtme!

Nga Dritan Hila

Të gjykosh saktësisht trashëgiminë që lë një president amerikan në politikën e brendshme është një sipërmarrje e pamundur për një të huaj. Të gjykosh se cila ishte trashëgimia e tij në politikën e jashtme, këtë e bëjnë më mirë të huajt.

Ikja, tashmë e sigurt, e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, sigurisht që do të lërë shenjat e saj në perceptimin e botës. Stili i flokëve i tij i ngjashëm me ashikët e viteve ‘30-të, spërdredhja teatrale e buzëve kur fliste, martesa me një modele shumë më të re se vetja, më shumë se perceptimin e Cezarit si shefi i komandantëve të luftës, jepnin atë të Neronit si perandori që donte të bëhej aktor.

Dhe pamja e jashtme ishte ajo që u reflektua më së miri në politikën e jashtme.

Politika e jashtme amerikane kishte pësuar një tërheqje që në kohën e presidentit Obama.

Vetë Biden-i, atëkohë zv/president kishte deklaruar se SHBA-të do të tërhiqej nga teatri evropian dhe do ta linte kontinentin e vjetër që të rritej vetë në këtë fushë, nën lidershipin gjerman.

Në kohën e Trump-it kjo u përkthye në një shthurje totale. Njerëz afër enturazhit të tij stimulonin forcat centrifugale të BE-së. Ndërkohë deklaratat e tij anti-NATO, nuk kishin si mos gëzonin Kremlinin. Trump-i me siguri nuk ka qenë delfin i Putinin, por ishte aq karafil në politikën e jashtme dhe lojrat e shërbimeve sekrete ku rusët janë mjeshtër të vjetër dhe po aq admirues i Putin, sa që më shumë se president i SHBA, ngjante me lojtarin e NBA-së, Denis Rodman që adhuron Kim Jong Un.

Sa i përket qasjes në Siri, më shumë se një tërheqje strategjike nga ai teatër lufte, Trump-i e braktisi atë. Falë zinxhirit komandues të ushtrisë, autonomisë së saj në marrjen e vendimeve dhe këshilltarëve të përgjegjshëm rreth Trump-it, që tërheqja në Siri mos quhej braktisje. Por fiaskoja më e madhe ishte ajo me Kim Jong Un. Nëse paraardhësit e tij kishin si kontrapart udhëheqjen e BRSS-së, e cila ishte një fuqi e krahasueshme bërthamore, Trump-i e uli prestigjin e SHBA të diskutonte me një xhuxh politik si Koreja e Veriut. Njësoj sikur Niksoni të diskutonte për problemet ndërkombëtare me Moldavinë më vend të BRSS.

E megjithatë Kimi në fund e talli. Vetë Trump-i nuk kishte asnjë nuhatje në diplomaci. Pika ku u përqendrua ishte ndihma ndaj Izraelit. Por edhe këtu nuk mund të thuhet së arritjet shkëlqenin. Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i shtetit hebre, ose njohja e tij nga shtetet limitrofe me atdheun shpirtëror të dhëndrit të tij, nuk ishin organike.

Sa i takon Kosovës, nuk është fat vetëm ardhja e Biden-it, një njohës i mirë i çështjes, por ikja e Trump-it.

Pavarësisht vlerësimit pozitiv që duan t’i japin mbështetësit e tij në Shqipëri sjelljes së Trump-it ndaj Kosovës, politika e tij ishte një katastrofë. Pas investimit për ndarjen e saj, politika e tij për imponimin e rregullave personale, e ka sjellë në gjendjen që po ekzekuton një pjesë të klasës politike të saj siç janë udhëheqësit e PDK-së, njëkohësisht aleatë të sprovuar të amerikanëve, dhe fuqizimin e një klase në mos nostalgjike, sigurisht që e ndjen veten inferiore ndaj serbëve.

Prezenca e Grenell në bisedimet Serbi-Kosovë, personazh i përbuzur në Berlin ku ishte më parë ambasador; trajtimi i palëve me mospërfillje e deri në tallje, në fakt tallnin pjellën e SHBA, Kosovën, sesa kryeministrin e saj gjynahqar, Abdullahun apo Vuçiç.

Në të ardhmen, fetishi i pushtetit, do t’i japë edhe Donaldit mundësinë që mendjet e vobekta ta gjykojnë me dashamirësi. Por në politikën e jashtme ai ishte ashtu siç paraqitej dhe që në standardet evropiane quhet kloun. /dritare.net