Na ndiqni edhe në

Editorial

Si e njoha Gëzim Krujën!

Si e njoha Gëzim Krujën!

Ka qenë viti 1983. Ishte 15 ditëshi i zborit në gjimnazin “Jordan Misja” në Shkodër. Pasi merrnim pushkët e drurit, në kolonë, shkonim në Zall të Kirit ku pasi zhgërryheshim nja 4-5 orë me muhabete, mbërthim e zbërthim karabine, taktikat e artit të luftës popullore që zakonisht përfundonin me kërcënimin “po nuk ndenjët urtë, do t’ju bëj zvarritje”, dhe në fund të bërë baltë e barishte ktheheshim në shtëpi.

Itinerari ynë kalonte afër Fermentimit, siç njihej në gjuhën popullore ndërmarrja që prodhonte cigaret. Aty punonte formalisht edhe Gëzim Kruja, i cili vetëm sa shkonte në mëngjes, dhe nga ora 8.30 kur në kalonim rrugës, ai kryqëzohej me ne duke u kthyer nga kafja e mëngjesit e shoqëruar me fërnet.

Nuk e di a quhej persekutim që një aktor karakteri si Kruja ta linin formalisht jashtë trupës së estradës së Shkodrës. Por në një qytet ku humori është normë ditore, me një dialekt që ndër burra duket sikur është bërë për të qeshur, ndërsa ndër femra ju jep një sensualitet të pashoqë në planet, dhe në një konstelacion yjesh që kishte arti shkodran i kohës, ndoshta kjo ishte edhe një zgjedhje e vetë personit. Askush nuk i kërkonte Gëzimit disiplinë dhe për më shumë cigaret dhe favoret, ishin më të mëdha për kalibra kombëtarë si Kruja në një vend që aktorët i donin të gjithë.

Nejse. Që të kthehemi tek tema, në një nga këto ditë, ndërsa ne po shkonim t’iu hapnim bela social-imperialistëve, kryqëzohemi me Gëzimin i cili po shkonte në qendër. Cigarja e ndezur i digjej në krahun që e mbante gjysmë të thyer. Po ecte ngadalë. Ndërkohë nga kolona jonë, një nga djemtë, i thërret: Gëzim, si ke nje?

Mirë, ju përgjigj Gëzimi, pa ditur kë të fiksonte nga ne.

Kini parasysh se Gëzim Kruja ashtu siç fliste në skenë, me tonin e zvargur dhe mimikën e tensionuar sikur e vriste këpuca, ashtu fliste edhe në jetë.

I kënaqur që tërhoqi vëmendjen e aktorit, por edhe të femrave të klasës, shoku ynë vazhdoi: “Sa i bukur je mor Gëzim!”

Ndërkohë, Gëzim Kruja e kishte fiksuar kush foli, dhe pasi ndaloi hapin dhe u kthye 90 gradë nga ne, hyri menjëherë në rol: “Përnjëmend a? Kështu më tha edhe nji gru qepar. Paska qene jot am. Qenkeni si fis i dashurum me mu. “

Dhe vazhdoi rrugën sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Në kolonë plasi e qeshura.

Gëzim Kruja ishte ndër ata që lindin artistë dhe skenarët i kanë meny të jetës së përditshme. Do të na mungosh kampion./dritare.net