
Mendova se dieta e Gwyneth-it ishte çmenduri, derisa e provova vetë!
Dritare.net
Nga Kath Brown- The Telegraph
Kur Gwyneth Paltrow u shfaq në një podcast me "praktikantin e mjekësisë funksionale" të Dr.Will Cole, interneti shpërtheu në kritika. Pasi Paltrow përshkroi rutinën e përditshme të mirëqenies dhe ditën e saj me lëng kockash dhe perime, kritikët pohuan se ajo po promovonte një dietë që të lë të vdesësh nga uria.
Disa javë më vonë, 50-vjeçarja Gwyneth rrëmbeu vëmendjen pasi mori një çmim për markën e saj të modës G Label. Në mënyrë të parashikueshme, kjo u pasua nga disa artikuj që të sugjeronin si të tonifikosh trupin, pavarësisht nga mosha juaj.
Lidhja midis dy historive, dieta me pak kalori dhe aftësia për të veshur crop top, nuk u krijua menjëherë, por korrelacioni është i dukshëm. Paltrow ia atribuon shëndetin e saj të mirë Dr.Cole.
"Puna me të ka ndryshuar shëndetin dhe jetën time," thotë ajo.
Pra, kush është Dr.Cole dhe cilat janë metodat e tij?
Profili i Cole në LinkedIn e përshkruan atë si një praktikues të mjekësisë funksionale në Qendrat Shëndetësore Natyrore Cole në Monroeville, Pensilvani. Por në një vështrim më të afërt të bie në sy se ai nuk është në të vërtetë një doktor, por një kiropraktor që është i specializuar në hetimin e faktorëve themelorë të sëmundjeve kronike, kushteve autoimune, çekuilibrave hormonalë dhe çrregullimeve të tretjes.
Mjekësia funksionale pretendon se ka një qasje më holistike ndaj shëndetit, me synimin për të zbuluar shkakun rrënjësor të sëmundjes, duke u fokusuar në ndryshimet e stilit të jetesës, ushqimin dhe ankthin, në vend që thjesht të mbulojë simptomat me ilaçe. Ne të gjithë e dimë se një dietë e keqe dhe stresi mund të na sëmurin fizikisht dhe mendërisht. Rëndësia e shëndetit të zorrëve për shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme po bëhet më e dukshme dhe libri i fundit i Cole shpjegon se si zorrët dhe truri janë të lidhura dhe pse shëndeti emocional ndikon në shëndetin tuaj fizik.
Shkenca është komplekse, por tematika jo. Të gjithë ne kemi ndier flutura në stomak në takimin e parë. Kjo është lidhja zorrë-tru. "Besojini zorrët tuaja", "instinktet e zorrëve", "Unë mund ta ndiej në zorrët e mia" janë të gjitha ndjesitë që më të mençurit thonë se ne kemi një shqisë të gjashtë në zorrët tona. Cole shpjegon se “lëndet ushqyese që hamë janë ato me të cilat ushqehen bakteret në zorrët tona. Këto baktere komunikojnë drejtpërdrejt me trurin tonë duke prodhuar neurotransmetues si dopamina dhe serotonina, të cilat rregullojnë kryesisht humorin dhe emocionet tona. Pra, mund të krijohet një lidhje e fortë midis asaj që hani dhe asaj si ndiheni.
Përballë një reagimi të ashpër pas paraqitjes së Paltrow në podcast-in e tij, ku disa dietologë pretenduan se ajo po promovonte ngrënie të çrregullt, Cole u hodh menjëherë në mbrojtje të klientes së tij. Ajo është e shëndetshme, argumentoi ai. Përgjigja e shoqërisë ndaj zgjedhjeve të saj ushqimore është ajo që po i shkakton vërtet problemet.
“Mendoj se hiperventilimi mbi njerëzit që agjërojnë me ndërprerje dhe pinë lëng kockash është arsyeja pse ne përballemi me një shoqëri ku shumica dërrmuese e njerëzve luftojnë me probleme metabolike, diabeti i tipit 2, probleme të ardhura si pasojë e stilit të jetesës.” deklaroi Cole, 39 vjeç.
“Nuk mund ta mohosh vërtet se obeziteti është i implikuar në një jetë më të shkurtër dhe të sëmurë. Duhet të bisedojmë për këtë. Kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të jenë të dobët: thjesht do të thotë se ata duhet të jenë versioni më i shëndetshëm i vetvetes.” shtoi ai.
Por, a do të dëshironte ndokush të jetonte si Gwyneth këtu në botën reale, ku veshja e një bluze të zezë nuk është në krye të shumicës së prioriteteve tona dhe a ka ndonjë gjë për të mësuar nga metodat e Cole? Vendosa ta zbuloj.
Të marrësh përgjegjësi për shëndetin e zorrëve.
Duke qenë se u neverita pasi lexova për metodën të humbasësh peshë ndërkohë që po vdes nga uria, edhe "Gut Feelings" e lexova me një dozë të madhe skepticizmi.
Shëndeti i zorrëve është një shkencë e komplikuar. Përmirësimi i shëndetit të mikrobiomës së zorrëve, baktereve që jetojnë në zorrë, përfshin marrjen e përgjegjësisë për shëndetin tuaj duke shmangur ushqimet e dëmshme, sheqerin dhe stresin e tepërt, jo e lehtë në shoqërinë moderne. Libri e zbërthen në një plan 21-ditor, ku çdo ditë përqendroheni në një qëllim ose një veprim.
Ditën e parë, libri ju sugjeron të mendoni për një ushqim që nuk ju bën të ndiheni mirë (për shembull, bulmeti mund t'ju shkaktojë kapsllëk) dhe se si mund të hani më pak prej tij; dita e dytë ka të bëjë me shmangien e snacking; dita e tretë është një kontroll i sheqerit; dita e shtatë inkurajon ushqimet e fermentuara, e kështu me radhë.
Nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin; ju gjithashtu inkurajoheni ta lini mënjanë telefonin dhe të dilni në natyrë. Ekziston gjithashtu një seksion i dedikuar rëndësisë së lëvizjes, për të dyja llojet e lëvizjeve, fizike dhe të zorrëve. Po, është mirë të lëvizni më shumë dhe po, keni nevojë për fibra.
Nuk ka një dietë strikte për t'u ndjekur, megjithëse ka receta dhe sugjerime se çfarë duhet dhe nuk duhet të hani për të inkurajuar shëndetin optimal të zorrëve.
Sigurisht, kjo qasje ndaj shërimit ka kritikët e saj. Edhe pse Cole këmbëngul se ai punon së bashku me mjekësinë konvencionale dhe jo kundër saj, ai gjithashtu thekson se mjekët konvencionalë nuk janë të trajnuar në mënyrë adekuate për të ushqyerit ose psikologjinë. Ai thekson se 60 për qind e amerikanëve vuajnë nga një sëmundje kronike, pothuajse gjysma e popullsisë së SHBA-së ka ose paradiabet ose diabet dhe depresioni është shkaku kryesor i paaftësisë në mbarë botën.
Ai pohon se praktikuesit e mjekësisë funksionale nuk janë antiilaçe dhe "e pranojnë që shumë njerëz janë gjallë për shkak të përparimeve në mjekësinë moderne", por ju mund të shihni se ku lind konflikti midis dy qasjeve ndaj trajtimit, përcjell dritare.net
Cole dëshiron t'i japë fund luftës ushqimore, kultura e dietës kundrejt kulturës kundër dietës. Cole thotë se ndjenjat e turpit janë shumë toksike dhe ai ka shpikur frazën "shameflammation" për të përshkruar inflamacionin e dëmshëm që stresi dhe vuajtja emocionale mund të shkaktojnë, duke çuar në të gjitha llojet e problemeve të shëndetit mendor si ankthi, mjegullimi i trurit dhe depresioni.
Ai dënon presionin e perfeksionizmit, për të cilin thotë se është "i rrezikshëm në botën e shëndetit dhe mirëqenies", ku përpjekja për stilin e jetës perfekte dhe shfaqja e saj në botë përmes mediave sociale është në kundërshtim me realitetin e jetës sonë të çrregullt.
Kur fillova të lexoja librin, nisa të ndjek dietën e Gwyneth për katër ditë. Nuk do të habiteni kur të mësoni se u ndjeva e pangopur.
Unë tashmë bëj agjërim me ndërprerje: ha darkë para orës 20:00 dhe më pas ha vaktin tim të parë të nesërmen në orën 12:30. E kam mjaft të lehtë dhe më ka ndihmuar të humbas peshë. Por normalisht do të haja një drekë të mirë. Lëngu i kockave nuk të duket ide e mirë sidomos kur je duke pritur për diçka të shijshme. Mos më keqkuptoni, nuk ka asgjë të keqe me lëngun e kockave. Supa e pulës, në shumë kultura shihet si një ushqim shërues dhe një supë e thjeshtë rekomandohet shpesh për ata që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar dhe sëmundjet inflamatore të zorrëve. Është e pasur me proteina dhe lëndë të tjera ushqyese, përfitime për shëndetin e tretjes, ndihmon në ndërtimin e muskujve dhe kockave dhe ju bën të ndiheni çuditërisht të ngopur.
Recetat e Cole, janë të tilla që promovojnë shëndetin e zorrëve dhe për këtë arsye nuk përfshijnë sheqer, qumësht ose karbohidrate të rafinuara. Kemi shijuar skuqjen e pulës me stilin tajlandez, patate me vezë të fërguara dhe zarzavate, hamburger me qofte qengji marokene (pa simite, natyrisht).
Pas një jave ndjekje të planit “Gut Feelings”, ndihem shumë mirë, edhe pse çdo dietë që kufizon alkoolin, karbohidratet dhe sheqerin ka të ngjarë t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Dhe po, kam humbur peshë. Kur e nisa isha 63 kg, ndërsa tani jam 60 kg. A ia vlen? Epo, nuk mund ta shoh veten duke zier kocka shumë shpesh në të ardhmen dhe burri im thotë se nuk dëshiron ta dëgjojë më kurrë emrin e Gwyneth Paltrow. Le ta themi kështu: Unë e mbarova ndjekjen e planit të premten dhe atë natë hapëm një shishe verë të kuqe. Por, në vend që të porosisnim një picë, ne bëmë qofte marokene me mish qengji. Dr.Cole do ta miratonte./K.C/dritare.net

















