Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Safari në Bari/ Udhëtim mes kafshëve të rralla, aq afër nesh

Safari në Bari/ Udhëtim mes kafshëve të rralla, aq afër
Nëse keni qejf safarin, nuk ka nevojë të shkoni deri në Afrikë. Nëse keni një fëmijë dhe pëlqeni parqet gjigande të lojërave, nuk ka pse shkoni deri në Disneyland, Francë.

Është një vend si në film dhe është më afër se ç'e keni imagjinuar. Është në Bari, Itali.

60 km larg Barit, është një qytezë që quhet Fasano. Kodrën më të madhe të qytetit e ka pushtuar një park i mrekullueshëm. Quhet Zoosafari Fasanolandia dhe nëse hyn atje, nuk arrin të dalësh dot, pa parë gjithçka.

Parku gjigand përfshin udhëtime me makinë  mes kafshëve. Mjafton të mos hapësh xhamin e makinës dhe të mos zbresësh, kur kalon mes luanëve, zebrave, tigrave, lamave, elefantëve. Te gjirafat nuk të bën zemra të mos ia u hapësh pak xhamin, ndërsa ato përkulen dhe duan të fusin kokën në dritaren e makinës tënde. Dhe një tjetër këshillë, mos ju jepi ushqim, thjesht shijojeni këtë udhëtim të paharrueshëm.

Mandej ka zona të tëra ku mund të ecësh me anije për të shkuar dhe shijuar spektaklin e fokave dhe breshkave të ujit, krokodilëve dhe luanëve të detit.

Ose të hipësh në trena dhe të rrethohesh nga majmunët që hipin mbi tren dhe të zgjasin duart në kërkim të kikirikëve.

Akuariumi është një tjetër mrekulli dhe, nëse ke zemër, edhe tuneli i tmerrit nuk duhet lënë pa parë.

Parku është hapur në vitin 1973, mbulon një sipërfaqe prej 61 ha dhe në të ndodhet i vetmi elefant afrikan mashkull në Itali. Bileta për në safari kushton 23 euro për person ose 20 për fëmijë nga mosha 4 deri në 10 vjeç. Por nëse vendosni të shkoni një grup miqsh ose familjarësh prej 29 vetash, bileta reduktohet në 16 euro secili.

Gjithsesi shifrat nuk kanë të krahasuar me kënaqësinë që merr.

Një vend ku ia vlen të marrësh tragetin e të udhëtosh deri në Bari për një argëtim të gjithë familjes dhe për të qenë më pranë natyrës e kafshëve./dritare.net