Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama prezanton “Rilindja Urbane 2.0”: Program me fond 1.5 miliardë euro për transformimin e qyteteve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili parashikon një fond prej 1.5 miliardë eurosh për transformimin e qyteteve dhe hapësirave publike në të gjithë vendin.

Gjatë prezantimit, Rama tha se programi i ri synon të çojë më tej investimet në infrastrukturën urbane, duke theksuar se nevojat e qytetarëve kanë evoluar bashkë me zhvillimin e vendit.

“Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon”, u shpreh kryeministri, duke e cilësuar “Rilindja Urbane 2.0” si një etapë të re zhvillimi.

Rama krahasoi gjithashtu gjendjen e qyteteve kur Partia Socialiste mori drejtimin e qeverisë me situatën aktuale. Ai kujtoi se sheshet kryesore, rrugët, ndriçimi, shkollat, çerdhet dhe rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve ishin në gjendje të degraduar, ndërsa sot, sipas tij, sfida nuk është më mungesa e infrastrukturës bazë, por rritja e cilësisë së saj.

Kryeministri solli si shembull transformimin e Tiranës, duke kujtuar mbjelljen e pemëve në fillim të viteve 2000, kur, sipas tij, qytetarët ndalonin për të parë këtë ndryshim, ndërsa sot gjelbërimi konsiderohet një standard normal i qytetit.

Sipas Ramës, faza e re e programit do të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së hapësirave publike dhe krijimin e standardeve të reja urbane, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve dhe zhvillimin e Shqipërisë./L.F-dritare.net