Na ndiqni edhe në

Sport

Gola në minutat e fundit, përmbysje spektakolare dhe surpriza. A është Botërori 2026 më i bukuri në histori?

Gola të jashtëzakonshëm, përmbysje emocionuese, dramë deri në sekondat e fundit dhe rezultate befasuese. Kupa e Botës 2026 po konsiderohet nga shumë si një nga edicionet më spektakolare të zhvilluara ndonjëherë.

Me nisjen e çerekfinaleve, kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në finalen e madhe. Për herë të parë në histori, turneu zhvillohet me 48 kombëtare dhe organizohet në tri vende, Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, duke u bërë Botërori më i madh i organizuar ndonjëherë.

Por a është edhe më i miri?

Kjo mbetet çështje këndvështrimi. Për shumë tifozë, Botërori më i bukur është ai që kanë ndjekur për herë të parë ose ai ku kombëtarja e tyre ka shkuar më larg. Megjithatë, statistikat tregojnë se ky edicion ka vendosur standarde të reja, sidomos për sa i përket spektaklit në fushë.

Rekord golash dhe futboll sulmues
Në 96 nga 104 ndeshjet e zhvilluara deri tani janë shënuar 280 gola, një mesatare prej 2.92 golash për ndeshje, shifra më e lartë që nga Botërori i vitit 1970 në Meksikë.

Për krahasim, mesatarja ishte 2.69 gola në Katar 2022, 2.64 në Rusi 2018, 2.67 në Brazil 2014 dhe vetëm 2.27 në Afrikën e Jugut 2010.

Ndeshja me më shumë gola ka qenë fitorja 7-1 e Gjermanisë ndaj Curaçaos, ndërsa shtatë takime të tjera kanë përfunduar me gjashtë gola dhe 13 ndeshje me nga pesë gola.

Edhe mënyra e realizimit të golave tregon futboll sulmues: 74.6% e golave janë shënuar gjatë lojës, ndërsa vetëm 5% kanë ardhur nga penalltitë, përqindja më e ulët në historinë e Kupës së Botës.

Dramë deri në fund
Një nga elementët që e ka bërë këtë Botëror kaq emocionues janë golat në minutat e fundit.

Nga 24 ndeshjet me eliminim direkt, tetë janë vendosur pas minutës së 85-të. Argjentina iu desh koha shtesë për të eliminuar Kepin e Gjelbër, ndërsa katër ndeshje janë vendosur me penallti.

Goli i Enzo Fernandez ndaj Egjiptit në minutën e 90-të ishte goli i dhjetë vendimtar i shënuar në kohën shtesë të rregullt, një rekord absolut në historinë e Botërorit.

Vetëm gjatë muajit korrik janë zhvilluar disa ndeshje që tashmë konsiderohen klasike. Belgjika mundi Senegalin 3-2 pasi ishte në disavantazh me dy gola, Argjentina bëri të njëjtën gjë ndaj Egjiptit, ndërsa Anglia mposhti Meksikën 3-2 edhe pse luajti rreth 40 minuta me një futbollist më pak pas kartonit të kuq të Jarell Quansah.

Stadiume plot dhe yjet në qendër të vëmendjes
Pavarësisht shqetësimeve fillestare për çmimet shumë të larta të biletave dhe distancat e mëdha mes qyteteve pritëse, stadiumet kanë qenë pothuajse plot.

Sipas FIFA-s, 99.7% e vendeve të disponueshme janë zënë, me mbi 6.2 milionë tifozë që kanë ndjekur ndeshjet deri tani. Mesatarja është mbi 65 mijë spektatorë për ndeshje, duke u renditur menjëherë pas Botërorit të vitit 1994 në SHBA.

Edhe yjet më të mëdhenj të futbollit kanë qenë protagonistë.

Gara për "Këpucën e Artë" është më e fortë se kurrë. Lionel Messi kryeson me tetë gola, ndërsa Kylian Mbappé dhe Erling Haaland kanë nga shtatë. Harry Kane ndjek me gjashtë gola.

Është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që tre futbollistë arrijnë të shënojnë të paktën shtatë gola në të njëjtin edicion.

Surprizat nuk kanë munguar
Edhe kombëtaret e vogla kanë dhuruar histori të jashtëzakonshme. Curaçao, vendi më i vogël që është kualifikuar ndonjëherë në Kupën e Botës, u rikuperua pas humbjes 7-1 ndaj Gjermanisë duke barazuar me Ekuadorin.

Katari, ndonëse u mund 6-0 nga Kanadaja, arriti të marrë një barazim 1-1 me Zvicrën. Historia më frymëzuese është ajo e Kepit të Gjelbër. Me portierin 40-vjeçar Vozinha, skuadra arriti të barazojë me Spanjën, Uruguain dhe Arabinë Saudite, përpara se t'i rezistonte Argjentinës deri në kohën shtesë, ku u eliminua me rezultatin 3-2.

Jo gjithçka ka qenë perfekte
Megjithatë, turneu është shoqëruar edhe me polemika. Çmimet shumë të larta të biletave, hoteleve dhe transportit kanë rënduar ndjeshëm buxhetet e tifozëve. Janë kritikuar gjithashtu ndërprerjet për hidratim, standardi i arbitrimit, kalendari shumë i ngjeshur dhe ndikimi fizik që ky turne ka mbi futbollistët. Një nga debatet më të mëdha lidhet me ndërhyrjen politike pas përjashtimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për çështjen e pezullimit të lojtarit, i cili më pas u lejua të luante ndaj Belgjikës. Vendimi u kritikua nga UEFA, Belgjika dhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, si një precedent i rrezikshëm.

A do të ketë fundin që meriton?
Pavarësisht polemikave, FIFA mund ta konsiderojë këtë Botëror një sukses të madh. Stadiumet janë plot, niveli i futbollit ka qenë shumë i lartë dhe emocionet nuk kanë munguar.

Por historia tregon se mënyra se si kujtohet një Kupë Bote varet shumë nga ndeshjet e fundit. Finale të dobëta kanë zbehur turne të shkëlqyer në të kaluarën, ndërsa finalja spektakolare e Katarit 2022 ndryshoi mënyrën se si u vlerësua ai edicion.

Me Argjentinën, Spanjën, Francën dhe Anglinë ende në garë dhe të vendosura në çifte të ndryshme të çerekfinaleve, priten sfida spektakolare që mund ta vulosin Botërorin 2026 si më të mirin në histori./dritare.net