
Në një klimë tensionesh politike dhe shoqërore, Partia Socialiste ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e grupit parlamentar, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa Rama ka mbërritur në selinë e Kryesisë së Kuvendit për t’u takuar me deputetët socialistë.
Takimi zhvillohet në një moment kur protestat studentore, të nisura më 13 tetor, vijojnë prej dy javësh në disa qytete të vendit. Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa tubimet janë shoqëruar edhe me përplasje me policinë dhe thirrje kundër qeverisë.
Pavarësisht ftesave të kryeministrit për dialog, studentët kanë refuzuar deri më tani të ulen në tryezë me të, duke këmbëngulur se largimi i Ramës nga detyra mbetet kërkesa e tyre kryesore.
Në këtë situatë, mbledhja e grupit parlamentar socialist zhvillohet mes presionit të protestave dhe zhvillimeve të fundit në administratën shtetërore. Ditët e fundit, Rama ka kërkuar dorëheqjen e një sërë drejtuesish të institucioneve dhe administratës.
Pritet që takimi i socialistëve të shërbejë për të diskutuar zhvillimet politike dhe situatën e krijuar nga protestat, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime apo vendime të reja nga mazhoranca./L.F-dritare.net