Rama: Lamallari, pjesë e ekipit tim në Kryeministri! Ministrisë së Brendshme i bashkohet Pushteti Vendor
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke larguar nga detyra ministrin Besfort Lamallari.
Rama deklaroi se Lamallari nuk largohet nga qeverisja, por do t’i bashkohet ekipit të tij në Kryeministri.
Ndërkohë, Ervin Demo, aktualisht ministër i Pushtetit Vendor, do të marrë drejtimin e punëve të brendshme. Sipas Ramës, në strukturën e re të Ministrisë së Brendshme do të integrohen edhe çështjet e pushtetit vendor.
“Lamallari nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme kalon në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi ndryshimin si një lëvizje në “skuadrën që është në fushë”, ndërsa theksoi se përfshirja e çështjeve vendore në Ministrinë e Brendshme nuk është diçka e re në historikun e këtij institucioni./L.F-dritare.net