Rama: Kontrolli i celularëve vetëm me autorizim gjykate, marrja në pyetje do të regjistrohet
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se sekuestrimi i celularëve dhe pajisjeve elektronike nuk do t’u japë më hetuesve akses të pakufizuar në të dhënat personale.
Sipas Ramës, për hapjen dhe kontrollin e të dhënave që ndodhen në pajisjet elektronike do të kërkohet një vendim gjykate, ndërsa në raste urgjence veprimi do t’i nënshtrohet më pas vlerësimit gjyqësor, sipas parashikimeve ligjore.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me mënyrën e marrjes në pyetje. Rama tha se marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë, me qëllim dokumentimin e procedurave dhe respektimin e të drejtave të personave që hetohen.
“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se deklarimet e marra përmes presionit apo dhunës nuk duhet të kenë vlerë në procesin penal.
Në lidhje me pajisjet elektronike, Rama tha se sekuestrimi i tyre nuk duhet të shërbejë si mundësi për të kontrolluar të gjitha të dhënat personale të një individi pa autorizimin përkatës.
Sipas tij, materialet që mund të merren gjatë hetimit dhe që nuk kanë lidhje me veprën penale duhet të asgjësohen. Të njëjtin parim ai e lidhi edhe me përgjimet, duke theksuar se duhet të shqyrtohen vetëm të dhënat që kanë lidhje me objektin e hetimit.
“Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale, nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”, tha Rama.
Ndryshimet e propozuara synojnë, sipas kryeministrit, përshtatjen e procedurave penale me zhvillimet teknologjike dhe forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale gjatë proceseve hetimore.