Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Qershitë i vola vetë

Qershitë i vola vetë
Nga Luna Ruvina

Bujrum! Kështu na tha Pranimi, pronari i rreth 100 rrënjëve qershi, kur iu lutëm të na linte të provonim vjeljen e qershive në Sinjë të Beratit. Bashkë me bashkëshorten, një grua e mirë e punëtore, dhe fëmijët e tyre, na priti ashtu siç do donte kushdo që ta prisnin. Me një tabaka të mbushur plot me gota të kuqe, lëng qershie një-vjeçar, për dhjetëra miq shqiptarë e të huaj, në oborrin e një shtëpie që të thoshte “Mirë se erdhe” me thjeshtësinë e pastërtinë e saj.

Ca me shporta e ca me çanta letre, iu turrëm pemëve të rënduar nga kokrrat e kuqe ndjellëse. Këmba shkelte mes barit e luleve të freskëta e zogjve të sapolindur të dy klloçkave vigjilente.

https://www.youtube.com/watch?v=JaDp45WUOyE&feature=youtu.be

Një vajzë e re gjermane më tha se, vjelja e qershive i kujtonte fëmijërinë. Kishte pasur një plantacion të tërë familja e vet deri vonë. “Qershia dhe kumbulla ishin specialiteti i qytetit tim.”,- më tha dikush tjetër, të cilit ky frut i kujtonte fabrikën e çokollatave ndërtuar ngjitur më shtëpinë ku ishte rritur, në Moldavi.

Vjelësja më e vogël ishte vetëm dy vjeç. Fustani i bardhë iu skuq po aq shumë sa duart dhe fytyra, ku i shtrydhte dhe i lëpinte gjithë qejf e ulur rrëzë një qershie.

Nuk pashë asnjeri të merrej me celularin për aq orë sa patëm fuqi të vilnim. Pas disa muajsh piqen edhe qershitë e glikove, të cilat ishin ende si boçe të vogla jeshile, përqafuar fort me njëra-tjetrën. Do të shohim, por s’besoj se ka ndonjë nga këta që e provuan, që nuk do donte të kthehej sërish të zhytej mes natyrës, barit e lëngut të ëmbël të qershive.

Pak minuta poshtë qershive na priti restoranti i ngritur rreth një lisi njëqind vjeçar, nga i cili ka marrë edhe emrin. Fëmijët ia nxorën zinë një qosheje të vogël të rrethuar enkas për ta dhe lojës me top në një fushe më poshtë, ku kishte vend për dhjetëra makina dhe autobusë bashkë. “Po ndenjëm shumë pak, o ma!”, -i thoshte një djalë gjashtë vjeç nënës së vet gati duke qarë, kur ajo po përpiqej ta bindte të bëheshin gati për t’u kthyer në shtëpi, në Tiranë.

Shumëkush bëri edhe një rrugë në këmbë në shëtitoren e Beratit para nisjes. Lulishtja, pak a shumë siç ka qenë dikur, atëherë kur Berati njihej si “qyteti i trëndafilave”, nuk të lëshon.

Qetësia dhe varfëria e lokaleve të mbushura me shumë pak vajza e gra e shumë më shumë me djem të rinj, që pinë mendueshëm nga një kafe e cigare, duke vrarë mendjen se, ku mund të degdisen si emigrantë me letra, të bëjnë edhe ty të mendosh se si ka mundësi të jetë kaq i varfër një vend me këto thesare natyre?

Unë nuk jam nga ata që thonë se Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë. Bëhet! Bëhet që ç’ke me të! Por dikush do duhet të na ngacmojë e të na zgjojë ne shqiptarëve një ndjenjë të fortë, një dashuri të madhe, nga ato që të ‘budallallepsin’ e të bëjnë të çosh në djall gjithçka. Të fillosh nga e para!/dritare.net