
Pyet Logopeden/ Prej 8-vjetësh vajza belbëzon. Çfarë na këshilloni?
Dritare.net

Logopedia përgjigjet
Përshëndetje zotëri! Si fillim do ju kërkoja vlerësim dhe terapi me një logoped dhe kjo duhet të realizohet sa më parë. Për të parë deri diku edhe shkakun pse është shfaqur në atë moshë, pavarësisht se nga studimet e bëra belbëzimi mund të ketë disa faktorë, por dy kryesorët mbeten:
1-Faktorët trashëgues 2-Faktorët emocional. Gjithashtu vajza juaj është mjaftueshëm e rritur për të pranuar problemin gjuhësor dhe për të kërkuar e pranuar ndihmën e terapistit.
“Një parakusht i dobishëm për një terapi të suksesshme është bindja e thellë e brendshme e personit që belbëzon në menaxhimin e çrregullimit të tij, e kombinuar me një shpirt luftarak dhe një gatishmëri për t’iu nënshtruar edhe humbjeve nëse është e nevojshme – humbja e shpresës, pesimizmi dhe pasiviteti janë armiqtë më të tmerrshëm të vetë-përmirësimit” citat i HENRY FREUND, M.D.
Për sa i përket ndihmës që mund t’i japë familja, por edhe shkolla, unë ju këshilloj: Siguroni një ambient relaksues në shtëpi dhe në shkollë ( komunikoni me psikologun e shkollës). Flisni në mënyrë të qetë dhe të ngadalshme, që vajza juaj të mos ndjejë presionin për të folur shpejt. Gjithashtu kini parasysh që të gjithë anëtarët e familjes të flasin dhe të dëgjojnë me radhë. Dëgjojeni vajzën tuaj kur flet. Mos e ndërprisni, të korrigjoni apo përfundoni fjalitë e saj. Prisni deri sa të thotë atë që ajo do të thotë. Është shumë i rëndësishëm besimi dhe siguria në vetvete që do përfitojë nga ju apo bashkëbisedues të tjerë. Me pak durim dhe shumë vullnet uroj t’ia dilni mbanë. Ju uroj më të mirat!
Për çdo pyetje ose këshillë ju mund të kontaktoni me logopeden Berjana Molla, në adresën e emailit: [email protected]

















