Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pyet logopeden/ Djalit 12-vjeç i merret goja, çfarë më këshilloni?

Pyet logopeden/ Djalit 12-vjeç i merret goja, çfarë më
Përshëndetje, kam nipin në klasë  të shtatë ka rreth tre muaj që ka filluar t'i mbahet goja. Në fillim ndodhte herë-herë të kishte përsëritje rrokjesh në fillim të fjalës dhe gradualisht i ka shtuar më shumë. Me parë fliste  shumë mirë por  mbaj mend t'i ketë ndodhur edhe një herë në një periudhë të shkurtër rreth moshës 2-3 vjeç. Jam e shqetësuar pasi në shkollë ka filluar të shfaqë probleme, rënie në mësime dhe nuk ka interes të shkojë në shkollë. Problemi tjetër është që shokët kanë filluar ta tallin, gjithashtu dhe në shtëpi vëllai i vogël ndoshta pa dashje e thërret gagaç dhe e korrigjon. Çfarë të bëjmë ? Të lutem na ndihmo!

Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet :

Ju falënderoj për pyetjen, si fillim edhe dua t`ju njoh me problematikën e mbajtjes se gojës ndryshe çrregullimi i rrjedhshmërisë (Belbëzimi). Belbëzimi është një çrregullim në komunikim, që ndërhyn në aftësinë e fëmijës për të folur rrjedhshëm. Ai përfshin përsëritjen, zgjatjen, ose bllokimin e tingujve, fonemave, rrokjeve ose fjalëve.

Belbëzimi zakonisht fillon mes moshës dy dhe katër vjeç dhe mund të ndodhë të vazhdojë të zhvillohet ose dhe të ndalojë në këtë periudhë moshore dhe të rikthehet në para adoleshencë, diku në kufi të 12 vjeç. Mesa po kuptoj kjo gjë ka ndodhur dhe me nipin tuaj.  Unë si logopede ju këshilloj që aktualisht:

Siguroni një ambient relaksues në shtëpi.

Jepni nipit tuaj shumë mundësi për të folur.

Flisni në mënyrë të qetë dhe të ngadalshme, ashtu që fëmija juaj të mos ndjej presionin për të folur shpejt.

Dëgjoni fëmijën tuaj kur flet. Mos e ndërprisni, korrigjoni apo përfundoni fjalitë e tij. Prisni deri sa të thotë atë që ai do të thotë.

Fokusoheni në përmbajtjen e asaj që fëmija juaj është duke thënë, e jo në mënyrën e interpretimit.

Është shumë e rëndësishme besimi dhe siguria në vetvete që do përfitojë nga ju apo bashkëbisedues të tjerë.

Ndërkohë gjithashtu ju këshilloj të bëni një vlerësim me logoped dhe të filloni disa seanca terapie. Por përkrah rehabilitimit logopedik do ju kërkoja të flisnit dhe me shkollën , mësuesit e tij dhe psikologen. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për ta ndihmuar me gjendjen e tij emocionale por dhe për ta ri-integruar në marrëdhënien me shokët, familjen etj.

Për çdo pyetje ose këshillë ju mund të kontaktoni me logopeden Berjana Molla, në adresën e emailit : [email protected]