Puna e sigurt është detyrim i madh. Erion Braçe për vdekjen e elektricistit të OSHEE-së
Dritare.net

Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas ndarjes nga jeta të punëtorit Bashkim Boçi, punonjësit të OSSHE cili humbi jetën gjatë punës. Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e tij, ndërsa ngre shqetësimin për sigurinë në vendin e punës dhe kushtet e punonjësve që punojnë në sektorë jetikë për vendin.
Braçe e cilëson Boçin një punëtor dhe zanatçi me 26 vite përvojë, ndërsa thekson se siguria në punë duhet të jetë një detyrim madhor. Ai kërkon gjithashtu që qeveria dhe ndërmarrja ku punonte Boçi të garantojnë mbështetje për familjen e tij.
"Një #punëtor
Të humbësh një punëtor, zanatçi të zotë, me 26 vite përvojë në punë, për një vend si i yni në nevojë për të tillë, është e rëndë, shumë!
Ta humbësh në punë, vendin e punës, gjatë punës, bëhet edhe më e rëndë; puna e sigurt është detyrim i madh! Sa pak rëndësi i kushtojmë kësaj!
Bashkim Boçi ishte një bir, një vëlla, një burrë, një prind, një mik, një shok; e marr me mend dhimbjen e gjithë njerëzve të lidhur me të dhe të tillë; dua t’i ngushëlloj të gjithë! Aq sa ngushëllimi zbut dhimbjen në të tilla raste.
Bashkim Boçi ishte një shërbyes publik, në një sektor jo thjesht strategjik, por jetik për qindra mijëra njerëz, jetën, pronën, punën e tyre; jetik edhe për ekonominë kombëtare.
Dje po shërbente në këtë kornizë, larg shtëpisë së tij.
E kam thënë e do vijoj ta them se puna e këtyre njerëzve nuk shpërblehet kurrë sa ç’vlen, kurrë; janë si dje, të gatshëm dhe në kushte të vështira, në rrezik, jo në zyra; ka mes tyre që e bëjnë këtë punë edhe në 20-30 metra lartësi, elektricistë linjash edhe ata.
Por ka ndër ta që janë e vetmja siguri për familjet e tyre, gjithçka që kanë ndërtuar e që, në një rast si ky, lënë pas.
Ndaj pasiguria që shoqëron dhimbjen e pafund duhet të jetë detyra e qeverisë dhe ndërmarrjes ku Bashkimi punoi, shërbeu!"
Bashkim Boçi, 54 vjeç, nga Elbasani, punonjës i OSSHE humbi jetën tragjikisht në Himarë, teksa ishte duke punuar për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë në zonën e Potamit. Sipas policisë, elektricisti, i cili ishte pjesë e grupit të punës për sezonin, u dërgua në spital pa shenja jete./L.F-dritare/net