Protestë në Rrjoll! Banorët shembin rrethimin dhe futen në kantier!
Dritare.net

Banorët e Rrjollit janë ngritur sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit Bashkim Ulaj. Protestuesit të irrituar pasi Ulaj rrethoi kantierin e ndërtimit me mure dhe me gardh me tela me gjemba, arritën që të shembin një pjesë të rrethimit dhe depërtuan brenda kantierit të ndërtimit, aty ku makineritë kishin nisur punën për resortin luksoz. Protestuesit pretendojnë se Ulaj u ka rrëmbyer tokat, për të cilat janë ende në procese gjyqësore. Ata thonë se kërkojnë të drejtën e tyre, ndërsa duke iu bashkuar refrenit të protestave në Tiranë, në kor bënë thirrje “Rama në burg, Berisha në Burg”.
Resorti qe shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh është kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Punimet kanë nisur që në shkurt, por ditët e fundit kantieri i ndërtimit u “fortifikua” me mure të larta.
Kjo masë mbrojtëse duket se është marrë pas protestave të vazhdueshme të banorëve të Rrjollit, të cilët pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false nga ish-zyrtar i cili më pas ia ka shitur kompanisë ndërtuese./dritare.net