Prezantohet ‘Pasqyra e Çmimeve’, 212 produkte me çmime fikse deri në janar!
Dritare.net

238 produkte ushqimore dhe mallra të tjera janë listuar në platformën “Pasqyra e Çmimeve”, ku qytetarët mund të krahasojnë në kohë reale çmimet në rrjetet e ndryshme të supermarketeve. Gjatë prezantimit të platformës, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se 212 prej këtyre produkteve do të shiten me çmime fikse deri më 12 janar 2027. Pesë supermarkete dhe 22 furnitorë do t'i shesin këto produkte me marzhe fitimi minimale.
Platforma mund të përdoret nga çdo telefon celular, ndërsa më vonë do të krijohet edhe një aplikacion që qytetarët mund ta shkarkojnë.
“Janë 238 artikuj të cilët janë të listuar në platformën që ne sot lançojmë online, për 13 kategori të ndryshme produktesh, ndërkohë që këto çmime janë të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë territorin e vendit. 13 kategoritë e produkteve janë përzgjedhur në bazë të atyre produkteve që janë më së shumti të përdorshme në shportën e konsumit të çdo familjeje shqiptare dhe kemi aty brenda sheqer, vaj, miell, drithëra, makarona, fasule, thjerrëza, kos, vezë, gjalpë, pulë. Pra, janë të gjitha produktet të cilat në mënyrë të përditshme konsumatorët shqiptarë i përdorin. Gjithashtu, kemi dhe një kategori të detergjentëve apo atyre produkteve të higjienës, të cilat janë në shportën e përditshme të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, sot nuk lançojmë vetëm këtë nismë, lançojmë një nismë tjetër, e cila gjithashtu ka lindur në bazë të bisedave që ne kemi bërë me tregtarët, por jo vetëm me tregtarët, punëtorët e konsumatorëve, por edhe me ata tregtarë që janë importues, prodhues apo pjesë e zinxhirit të vlerës.
Ne nga sot lançojmë nismën “Kurse”, e cila paraqet një numër produktesh që do të jenë me çmim të fiksuar deri më 12 janar të këtij viti. Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë. Gjithmonë në të gjitha kategoritë e produkteve, në pesë rrjetet e supermarketeve, dhe janë angazhuar pesë supermarkete dhe 22 furnitorë që këto produkte t'i shesin me marzhe fitimi minimale.
Do ta shihni vetë në paraqitjen e platformës se si janë çmimet, se si ato ndryshojnë, ku mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%", tha Ibrahimaj.
Kryeministri Edi Rama tha se qeveria nuk do të vendosë çmime tavan për produktet, pasi në ekonominë e tregut ato përcaktohen nga konkurrenca e lirë. Sipas tij, marrëveshja me supermarketet është arritur përmes mirëkuptimit, me synimin për të lehtësuar shpenzimet e konsumatorëve në një periudhë të rritjes së kostove.
“Ka thirrje që të vendosim çmime tavan. E kemi të pamundur, se kemi bërë zgjedhjen në 1990, ku jemi ndarë nga sistemi që i vinte vetë dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Pikërisht te konkurrenca e lirë qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte", tha Rama.
Rama njoftoi se synimi është që deri në fund të vitit në platformë të përfshihen 1 mijë artikuj, ndërsa pjesë e nismës pritet të bëhen edhe marketet më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu gjoba për rastet kur konstatohen abuzime me çmimet.
“Ky është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte, duke pasur parasysh edhe subjekte më të vogla, edhe pikat e shitjes së pakicës, të cilat janë pika ku, siç e tha ministrja, shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë aty ligji parashikon edhe gjobë, në rast se ato çmime janë spekulim", vijoi Rama.
Përmes platformës, supermarketet do të përditësojnë çmimet e produkteve, ndërsa qytetarët do të mund të shohin se ku shiten më lirë dhe të krahasojnë kostot përpara se të bëjnë blerjet.
Të dhënat kryesore
Produkte në platformë 238
Kategori produktesh 13
Pika shitjeje 155
Rrjete supermarketesh 5
Furnitorë të angazhuar 22
Produkte me çmime fikse 212