Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia zbardh detaje të reja për arrestimin e Moisi Habilajt në Borsh

Screenshot-2026-06-14-103124.jpg

Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja lidhur me arrestimin e Moisi Habilajt në Borsh, një ditë pas operacionit të koduar “Metodat”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Sipas policisë, 48-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në një lokal në zonën e Borshit, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Autoritetet bëjnë me dije se ndaj Habilajt është dhënë një dënim nga Gjykata e Katanias me 12 vite, 2 muaj e 13 ditë burgim për përfshirje në organizatë kriminale me aktivitet në trafikun e drogës. Po ashtu, ndaj tij është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë të njëjtit operacion është arrestuar në flagrancë edhe 46-vjeçari Eduard Ahmeti, banues në Sarandë, ndërsa një shtetas italian 70 vjeç me inicialet S.F. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Arrestimi i Habilajt u bë publik mbrëmjen e së premtes. Ai ishte lokalizuar në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij, ndërsa gjatë arrestimit dyshohet se kishte ndryshuar pamjen për të shmangur identifikimin.

Moisi Habilaj njihet si një nga emrat kryesorë të dosjes së trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, për të cilin Gjykata e Apelit në Katania e ka dënuar përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg. Ai është shpallur fajtor për disa episode trafikimi droge të kryera gjatë viteve 2013–2017 në Shqipëri dhe Itali.

Më herët, në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e kishte dënuar me 15 vite burg, dënim që u reduktua në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në të njëjtën dosje janë dënuar edhe disa persona të tjerë, mes tyre Meridian Sula, Nezar Seiti dhe të tjerë, të përfshirë në rrjetin kriminal të trafikut të drogës.

Rasti i Habilajt u bë gjithashtu pjesë e një hetimi të gjerë që lidhej edhe me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit Prokuroria përdori përgjime të Guardia di Finanza-s italiane. Tahiri u dënua në vitin 2022 për shpërdorim detyre dhe vuajti një pjesë të dënimit me burg./L.F-dritare.net