

Një grua u vra para syve të fëmijës së saj, u masakrua nga kunati në Paskuqan.
U vra një grua me urdhër mbrojtje, si për të dëshmuar edhe një herë se urdhrat e mbrojtjeve nuk po funksionojnë në këtë vend, dhe gratë vazhdojnë të vriten edhe pse drejtësia i ka nën mbrojtje.
U vra nga kunati kriminel, që “ishte me nerva” në ato momente, dhe nervat i shfryu duke vrarë një ditëzezë të pambrojtur nga askush, as nga ligji që me letra e kishte marrë përsipër ta mbronte.
Kur shoqëria ende po lexonte detajet e vrasjes makabër në Pakuqan, detaje të reja do të dilnin për një tjetër ngjarje, teksa ca adoleshentë të vonuar vranë një 52-vjeçare në Mallakastër.
Ah, nuk e vranë, e përdhunuan monstrat, e lidhën dhe e hodhën në liqen.
Krimi i tre të rinjve në Mallakastër është një kambanë e vërtetë alarmi, sepse për të disatën herë me radhë është duke u dëshmuar se në këtë vend po rritet një brez kriminelesh të frikshëm, që vrasin në mënyrë barbare.
Vrasja në Mallakastër, nuk duhet shikuar vetëm si një vrasje e një tjetër gruaje të pambrojtur, nga disa të rinj të dalë duarsh, por edhe për mënyrën e frikshme të krimit që ata kryen.
Asnjë kriminel nuk hyn në historinë e një vendi dhe në historinë e zezë të një kombi se ka vrarë dikë, por në shumicën e rasteve barbarët hyjnë në histori për mizoritë që ata kryejnë para se të vrasin dikë.
Në Mallakastër u vra një zonjë, në mënyrën më ç’njerëzore e kriminale që mund të ndodhë në vendin tonë. E përdhunuan mostrat, e lidhën, e hodhën në bagazh të makinës dhe e flakën në liqen!
A mund ta mendojë dikush, çfarë mendje krimineli duhet të kesh për ta bërë këtë krim rrëqethës, trishtues e të frikshëm.
Familja nga ana tjetër e pranonte publikisht se njëri nga djemtë ka qenë përdorues hashashi dhe i lëndëve narkotike, ata ishin të tre sipas policisë.
Pra, familja ka qenë në dijeni se djali i tyre përdor hashash dhe nuk bëri zë kurrë.
Këto familje kanë një peshë të madhe sot mbi supe, që është pesha e mosndaljes së këtij krimi te tmerrshëm.
Ata familjarë dhe kushdo familjar tjetër, duhet ta çojë në polici me duart e veta atë fëmijë narkotik, dhe pas disa vitesh të rikthehet me mend në kokë.
Më mirë çojini o të mjerë vetë në burg, sesa për gjithë jetën tuaj nuk do të flini të qetë për atë që ka bërë djali juaj, e që ju e dinit, se do të shkonte edhe aty.
Çoni fëmijët në institucione riedukimi sepse nuk është turp, sepse turp është të vrasësh, e të përdhunosh.
Bëjeni sot, sepse nesër do e shikoni djalin tuaj kriminel në ekrane, e mos qani, as mos u ankoni, sepse nuk e keni kryer detyrën!
Ky nuk është rasti i parë që ndodh kjo gjë, që ndodhin këto krime të tmerrshme, sepse hajt se doli një kriminel nuk u bë nami.
Para ca muajsh kishim vrasjen e një punëtori të kondicionerit 26-vjeçar, nga dy çuna pasanik, që nuk përtuan ta qëllonin të gjorin për vdekje në shtëpinë e tyre.
Para dy vitesh një të riu iu pre jeta në mes për një karikues telefoni në mes të Tiranës, nga moshatarër e tij.
Adoleshentë që vrasin për 1000 lekë sa bën karikuesi, është trishtuese.
Nuk mund të heshtim më në asnjë moment, sepse të gjitha krimet e kryera nga të rinjtë në këtë vend tregon edhe një herë se brezi i ri i krimineleve po rritet mes nesh, dhe nuk janë kriminele dosido por nga ata barbarët.
Nuk është hiç normale që një shoqëri kaq e vogël të ketë kaq shumë monstra, prandaj më pak vëmendje dhe përkushtim, mund ta zhdukim të keqen e të mos lexojmë më të tilla horrore./dritare.net

















