Pas atentatit ndaj gazetarit të RAI Ranuccit nuk ishte mafia shqiptare, por miku i tij
Dritare.net

Ishte gjysma e dytë e vitit 2025 kur Report i gazetarit të Rai3 Sigfrido Ranucci po investohej me kronika shumë të forta kundër Shqipërisë. Kishte vendosur që t’ua tregonte Shqipërinë italianëve përmes fjalëve të medias shqiptare. Në këto muaj një eksploziv dëmtoi makinat e parkuara në hyrje të shtëpisë së gazetarit në periferi të Romës, duke i dëmtuar ato e duke rrezikuar jetën e vajzës së tij, e cila vetëm rastësisht kishte kaluar pak kohë më parë, fatmirësisht pa u prekur.
Ranucci vetë nuk u shpreh asnjëherë, por pista kryesore që shpërndanë mediat italiane, me siguri me “burime të sigurta” pranë tij, ishte se në veprim ishte vendosur “mafia shqiptare”, si kundërpërgjigje e investigimit që Ranucci kishte bërë ndaj saj. Këto ditë, investiguesit e vërtetë italianë nxjerrin në dritë një tjetër realitet: Eksplozivin dyshohet se ia ka vendosur miku i tij, biznesmeni kontrovers Valter Lavitola përmes një skeme të mirëmenduar. “Valteri është një mik i vërtetë, mes nesh ka shumë ngrohtësi”, u shpreh Ranucci në një intervistë të publikuar sot nga Corriere della Sera.
Por kjo ngjarje ka lënë pa fjalë si komunitetin gazetaresk italian, ashtu dhe opinionin publik në Itali, i cili mëson se një nga gazetarët më agresivë dhe investigativë të televizionit publik italian, ai që u bën moral të gjithëve, kishte krijuar një miqësi të fortë me një personazh si Lavitola, të cilin e kishte pasur dhe subjekt të investigimeve që ai drejton.
Lavitola, i cili në të shkuarën ka qenë edhe gazetar, edhe botues, sot është pronar i një restoranti në Romë, por ajo që do ju habisë më shumë është historia e tij me shantazhe politike dhe gjobvënie deri në nivele të larta, ndaj Silvio Berluskonit. Sot Lavitola akuzohet për masakër dhe krime të tjera, me rëndesën e krimit mafioz bashkë me gjashtë persona të tjerë. Sipas hetuesve Lavitola i kishte dhënë detyrën Gomesit, kamarier në restorantin e tij, të gjente disa persona të tjerë të aftë të vendosnin ekplozivin pranë makinave të Ranuccit. Të gjithë eksploziv vënësit, persona të rëndomtë, janë arrestuar nga karabinierët. Pastaj Lavitola e ka ndihmuar kamerierin e tij kamerunez të largohet nga Italia.
Të martën e shkruar karabinierët italianë bënë një blic në shtëpinë e Lavitolës duke i sekuestruar telefonin dhe kompjuterin, prej aty biznesmeni ka marrë në telefon Ranuccin duke iu shprehur se ishte shumë i shqetësuar. Që prej vitit 2019, kur Ranucci ka bërë disa investigime gazetareske ndaj Lavitolës, mes tyre kishte lindur një miqësi e ngushtë: “Shkoja të haja në restorantin e tij të paktën cdo dy javë”, tregon Ranucci, i cili shprehet gjithashtu se nuk e imagjinon dot qëllimin e atentatit, edhe pse shprehet i sigurte që Lavitola nuk do të mendonte kurrë t’i bënte keq.

Por gazetarët italianë kanë mësuar diçka nga hetimet: Qëllimi Lavitolës ishte që Ranucci të kalonte nga gazetaria në politikë, dhe jo i çfarëdoshëm, por në krye të PD-së italiane madje kandidat për kryeministër për koalicionin 5 yje-PD, dhe një shpërthim i tillë do t’i jepte famën e heroit dhe do ta “blindonte” të sigurt në Rai Tre. Nuk dihet nëse ky plan ishte i vetëm i Lavitolës apo në bashkëpunim me gazetarin. Kjo mbetet për t’u hetuar nga investiguesit italianë që e kanë çështjen në hetim.
Por për të kuptuar se kush është në të vërtetë miku i gazetarit Ranucci, le të shohim çfarë shkruan sot media italiane si Corriere della Sera, ashtu dhe të tjerat mes të cilave Il Post.
“Në 10 vitet e para të viteve 2000, Lavitola u përfshi nga një sërë hetimesh dhe dënime mes të cilave një tentativë për shantazh ndaj Silvio Berluskonit për të cilën u dënua me 1 vit dhe 4 muaj. Lavitola është akuzuar dhe se kishte vepruar si sekser për Berluskonin për të bindur senatorin Sergio De Gregorio për të ndryshuar rreshtim politik në këmbim të 3 milionë eurove në kohën e ashtuquajtur të “shitblerjes së senatorëve”, në të cilën u rrëzua qeveria e Romano Prodit në 2008.
Pra, Valter Lavitola, sekser i njohur dhe gjobëvënës i dënuar, ishte bërë mik i gazetarit Sigfrido Ranucci pasi ky i fundit kishte bërë kronika pikërisht për këto afere ndaj tij.