
Parlamenti i nxënësve përballë grackës për t'u përfshirë në hullitë e pushtetit!
Dritare.net

Para pak ditësh Ministria e Arsimit na bëri me dije se ish krijuar "Parlamenti i Nxënësve", i cili do të shërbente si forum ku do të dëgjohej zëri i nxënësve aty.
Përpos këtij fakti është evidente tashmë që kurrë më parë arsimi nuk ka qenë në nivele kaq të ulëta, edukimi i mirëfilltë gjithashtu.
Këto mjedise shkollore i ka mbuluar terri e padija, apatia e bullizmi, ndërsa nxënia është në nivele të pakonsiderueshme, cilësia e nivelit arsimor gjithashtu.
Asnjë diskutim në këto ambiente shkollore, për të drejtat, detyrimet, librin, edukatën qytetare, seksuale, prirjet, pasionet a veçantitë që lidhin e ndajnë secilin mes tyre.
Në asnjë rast përgjatë këtyre 30 vjetëve nuk u iniciua një takim a forum i hapur ku prindërit, nxënësit e mësuesit, me pjesëmarrjen e ministres së Arsimit posaçërisht, të diskutonin bashkërisht dhjetëra probleme në radhë të një sistemi arsimor që çalon dita-ditës.
Një sërë arsyesh në radhë ndërkaq nxisin e përkeqësojnë vit pas viti këtë situatë.
Politikat arsimore të dobëta e te pastudiuara, kanë sjellë mjaft probleme prej disa vitesh duke prekur cilësinë e arsimit në këtë vend.
Ende mungon një plan i posaçëm për nxjerrjen nga kriza të arsimit në Shqipëri, kryerja e investimeve të duhura në këtë fushë e për këtë shkak gjithashtu.
Sfida e fëmijëve tanë nuk është e nuk mund të jetë përfshirja në parlamentin që u përket atyre tashmë, në rast të kundërt gracka për t'u futur në hullitë e pushtetit do të ish një tjetër kurth për secilin prej tyre.
Në një shoqëri ku kryelajm është krimi, droga a politika, dëmi kundra tyre është i pamatshëm e i pallogaritshëm e këtë të fundit s'ka parlament fëmijësh që e ndreq paskësaj./dritare.net

















