Na ndiqni edhe në

Opinione

Rexhep Qosja, shkrimtar!

Rexhep Qosja, shkrimtar!

Nga Adri Kalaja

Tirana pa Ismail Kadarenë nuk është më e njëjta, i ngjan in perpetum një qyteti pas shiut. Kafenetë janë mbushur me njerëz por tani do të lexohet dhe më pak. Ndoshta asnjë njeri në botë nuk e ka librin e tij të preferuar. Ndoshta të gjithë e kanë librin e tyre të preferuar.

Ndoshta ka dhe nga ata që nuk kanë para të blejnë libra, ndonjëri nga të cilët mund të bëhet pastaj libri i tyre i preferuar. Ndoshta ka nga ata që nuk janë lexues, nga ata që shohin filma. Ka nga ata që nuk shohin as filma. Ka nga ata që s’shkojnë në plazh e ka nga ata që preferojnë detin.

Ka nga “ata” do thoshte Heidegger. Për njeriun, të gjithë janë ata!

Ka dhe nga ta që librin e tyre të preferuar e kanë zbuluar vonë në jetë. Ky është dhe rasti im. Nuk është një autor pordhac, po fare pordhac. Rexhep Qosja quhet. Ndoshta e keni dëgjuar. Me siguri që e keni dëgjuar. Malazez lindur dhe jeton në Kosovë. Libri i tij është « Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Ka disa libra që të sugjerojnë se është procesi i konceptualizimit ai që është i rëndësishëm dhe jo vetë koncepti, dhe ka disa që e ngrejnë këtë në epitomë duke e përdorur dhe në mënyrë amorale, pra, duke sugjestionuar. Tjetër gjë është të thuash se kujtesa është e rëndësishme pasi ke kujtuar rininë me një mik me një gotë verë pranë zjarrit dhe tjetër gjë ti thuash gjithë botës se është shikimi që ka rëndësi dhe ta vësh të parin në prioritet. Vërtet ne na mësohet diçka, por asaj pjesës tjetër, që është më kafshërore nuk i mësohet e njëjta gjë, i mësohet diçka tjetër. Kjo është dhe mënyra me të cilën proceson dialektika. Krishtërimi, një formë e dialektikës negative, e quan pjesën që i mësohet apo në rastin e të krishterëve nuk duhet ti mësohet tundimi. Pra, në fakt këtu kemi të bëjmë me një double-bind. Jo vetëm që e kemi këtë pjesë kafshërore brenda vetes, por duhet dhe të ndihemi fajtor që e kemi. Simone De Beauvoir, teksa citon Sartrein, thotë se duan të na bëjnë të ndihemi në faj që jemi objekte, që jemi trupa.

Edhe intelektuali i kohës është trup, është një objekt i përdorur nga pushteti dhe në të njëjtën kohë, objekt i cili nuk kishte nga i shpëtonte pushtetit. Pushtetit mund ti shpëtoje vetëm duke përgjithësuar, duke i dhënë një dorë cilësisë metafizike të pushteti që e transhendon atë. Dhe nga kjo merr frymë dhe pushteti diktatorial dhe kulti i individit. Nuk është thjeshtë një shaka e madhe, por është një shaka që ta ngrin në fytyrë buzëqeshjen e të pengon, të lë kaps si me thënë. Kjo shaka mund të ta ndërpresë hovin, është një shaka teatrale, me pantollona teritali. Rexhep Qosja sigurisht është një figurë kontroverse por dhe figurë politike që ndër të tjera i ka prurë peshqesh Shqipërisë shpesh dhe debate politike por kryesisht akademike.

Ai njëherë edhe u pat përpjekur të themelonte partinë e vet politike. Pra, për Qosen intelektuali nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë i kufizuar dhe i mbyllur në zhguallin e tij. Por çfarë do të thotë kjo hapje ndaj botës. Do të thotë vetëm diçka, hapje ndaj atij diversitetit aq shumë të kërkuar nga klima e sotme politike dhe hapje ndaj të resë, por duke ruajtuar traditën. Qose është shpesh në the të thikës, ashtu si dhe personazhi i tij Xhezairi i Gjikës.

Ne duhet të kujtojmë dhe të kuptojmë që për një intelektual është e vështirë ti rezistojë tundimit për tu mos identifikuar për lexuesin dhe në njëfarë mënyre për të mos shkruar apo folur për një lexues të caktuar. Atëherë çfarë mbetet?

Situacionizmi, sigurisht, dhe është ky terreni ku Qose shkrydh këmbët, ku loz shumë lehtë. Ai kap shumë mirë situatën e personazheve dhe kjo është arsyeja pse ato janë aq të pëlqyer dhe të dashur. Tarik Saraçi te “Bijtë e askujt” është shembulli tipik.

Rexhep Qosja shkruan një prozë me të cilën lexuesi shqipfolës nuk është mësuar. Një prozë mes “përroi të ndërgjegjes” (shih Uliksi, botime Zenit) dhe tregimit të gjatë. Ky shkrimtar mundet fare mirë të quhet dhe shkrimtari i parë postmodern i letërsisës shqipe. Por më së pari duhet të kuptojmë se çfarë është kjo etiketa “postmodern”. Pra cili është malli të cilit i vihet “stampa”.

Postmodernizmi lindi më së famshmi nga lodhja nga normat, lindi si një lëvizje popkulturore por dhe një lëvizje kundërkulturore. Le të kujtojmë këtu dhe Samuel Beket por dhe Virginia Woolf. Normat letrare tingëllojnë të lodhshme dhe “jo-cool”, pra të mërzitshme, tipike për sallonet e zonjave të mëdha, tipike për borgjezinë dhe jo për klasën punëtore që gjithë ditën i bie bretku në punë, që më mirë se të lexojë Balzakun shkon e sheh futboll e loz skedina.

Gara me qenj.

Nejse!

Pra proza e Qoses i flet njeriut të thjeshtë të birrarive, jo të bistrove apo të dyqaneve të rrobave në Milano. Kë nuk e ka marrë malli të shkojë në Milano! Vërtet! Por ne jetojmë në një botë ku letërsia dhe kinemaja janë domosdoshmëri nëse duam ti edukojmë fëmijët tanë me vlera humaniste. Vërtet jemi një botë jo e luftrave më të mëdha por e e betejave të mëdha. Duhet të mësojmë të shmangim dëshpërimin dhe ku ka më mirë se humori. Prandaj “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është një libër që duhet lexuar. Është një libër që duhet përcjellë. Vërtetë “spread the word!”/ dritare.net