
Futbolli në zi: Diogo Jota dhe vëllai i tij përcillen në banesën e fundit
Dritare.net
Familjarë, miq dhe ish-bashkëlojtarë të Diogo Jotës u mblodhën këtë të shtunë në Gondomar të Portugalisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit yllit të futbollit dhe vëllait të tij, André Silva, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Spanjë të enjten në mëngjes.
Jota, 28 vjeç, dhe vëllai i tij 25-vjeçar – edhe ai futbollist profesionist – u ndanë nga jeta duke tronditur thellë botën e futbollit dhe opinionin publik.
Mes dhimbjes së thellë, bashkëshortja e Jotës, Rute Cardoso, me të cilën ai ishte martuar më pak se dy javë para tragjedisë dhe me të cilën kishte tre fëmijë të vegjël, u pa duke përqafuar të afërmit në hyrje të kishës përpara fillimit të shërbesës mortore që zgjati rreth një orë.
Kapiteni i Liverpool-it, Virgil van Dijk, dhe mbrojtësi Andy Robertson udhëhoqën homazhet e klubit anglez, duke mbajtur buqeta me lule të kuqe në formë të fanellave të dy vëllezërve. Ata ishin të shoqëruar nga lojtarë të tjerë si Alexis Mac Allister, Darwin Núñez dhe Ibrahima Konaté, ndërsa trajneri i ri i ekipit, Arne Slot, dhe CEO Michael Edwards ishin gjithashtu të pranishëm.
Këmbanat e kishës kumbuan ndërsa një radhë e gjatë njerëzish të pikëlluar shoqëruan arkivolet e vëllezërve brenda. Ylli i kombëtares portugeze dhe ish-shok skuadre me Jotën, Rúben Neves, ishte një nga mbartësit e arkivolit. Para arkivoleve ecte një person tjetër që mbante një fotografi bardhezi të André Silvës me mbishkrimin: “Përgjithmonë Njëri nga Ne”.
Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin edhe figura të tjera të njohura të futbollit portugez, si trajneri i kombëtares Roberto Martínez, si dhe yje si Rúben Dias, Bernardo Silva (Manchester City), Bruno Fernandes (Manchester United) dhe João Félix (Chelsea).
“Ky ishte një moment që tregoi se jemi një familje e madhe, por shumë e bashkuar,” tha Martínez për gazetarët jashtë kishës. “Ne jemi Portugalia... jemi bashkë dhe gjithmonë do të jemi.”
Mesazhe prekëse u drejtuan nga peshkopi i Portos, Manuel Linda, i cili iu drejtua prindërve të dy vëllezërve dhe bashkëshortes së Jotës me fjalët: “Solidariteti në dashuri është gjithmonë më i fortë se vdekja.”
Të premten, një ditë para funeralit, u mbajt një homazh në kishën e vendlindjes së tyre në Gondomar, ku dyert e Igreja Matriz ishin të hapura për publikun.
Homazhet për Jotën dhe vëllain e tij vazhduan edhe në skenën ndërkombëtare. Në ndeshjet e Kupës së Botës për Klube, u mbajtën momente heshtjeje përpara fillimit të lojërave. Lojtarë si Neves, João Cancelo dhe Pedro Neto – të gjithë ish-shokë të Jotës në kombëtaren portugeze – u panë thellësisht të prekur emocionalisht.
Madje edhe jashtë fushës së futbollit, nderimet nuk munguan. Grupi legjendar britanik “Oasis” i dedikoi këngën “Live Forever” Jotës gjatë një koncerti në Cardiff të Uellsit.
Në Wimbledon, tenistët portugezë Francisco Cabral dhe Nuno Borges morën leje të veçantë për të mos ndjekur kodin e veshjes së bardhë të turneut, për të nderuar Jotën – një tjetër gjest që dëshmon ndikimin e tij të madh përtej sportit.
Në këtë fundjavë të trishtë, futbolli nuk humbi vetëm një lojtar të madh, por edhe një njeri të dashur për shumëkënd. /L.F-dritare.net

















