Na ndiqni edhe në

Shqip

Ngjarje të rënda çdo ditë. Por media amerikane nuk i bërtet si në Shqipëri! Flet avokati

Ngjarje të rënda çdo ditë. Por media amerikane nuk i

Ai është avokat, ish-prokuror dhe tashmë kandidat për Senatin e Shtetit Michigan në SHBA. Por para se të hyjë në politikë, Renis Nushaj ka parë nga afër atë që ndodh përditë në një qytet amerikan: krime, ndarje familjare, aksidente, dhunë në familje, trafik droge – por edhe drejtësi që funksionon, institucione që reagojnë dhe media që raporton pa histeri.

Në intervistën për Shqip në Dritare TV me Rudina Xhungën, ai tha:

“Vetëm nga zyra ime, çdo ditë kemi mbi 10 raste që mund të jenë lajm i rëndë: një dhunë familjare, një vjedhje, një aksident tragjik, një fëmijë që mbetet pa kujdestar, një padi ndaj një shkolle apo një spitali. Por mediat nuk i kthejnë këto në dramë kombëtare. Sepse e dinë që nuk duhet ta trondisin çdo ditë publikun për gjëra që sistemi mund t’i trajtojë.”

Për Renisin, ky është dallimi thelbësor mes funksionimit të shtetit amerikan dhe krizës së vazhdueshme në perceptimin shqiptar të realitetit.

“Në SHBA, njerëzit e dinë që sistemi reagon. Nuk ndjejnë nevojë të bërtasin, sepse drejtësia nuk është ‘show’, është proces. Në Shqipëri, shpesh duhet të bërtasësh që të të dëgjojnë. Prandaj çdo lajm është SOS, çdo emision është klithmë.”

“E përditshmja ime si avokat është më dramatike se çdo edicion lajmesh”

Renis Nushaj ka trajtuar mbi 3,000 raste në karrierën e tij si avokat dhe është përballur me dramat më të mëdha njerëzore. Ai rrëfen:

“Kam parë prindër që humbin fëmijët për shkak të neglizhencës së institucioneve. Kam ndihmuar gra të dhunuara që kishin frikë edhe të flisnin. Kam parë adoleshentë që rrezikonin jetën për një gabim të vogël. Këto janë historitë që ndodhin çdo ditë në Amerikë – por nuk e ndalin dot një komb.”

Ai beson se shqiptarët duhet të mësojnë të mos ushqehen me panik, por me kurajo për t’i përballuar gjërat me qetësi dhe përgjegjësi.

“Nuk duhet të jemi një popull që sheh lajmet vetëm për t’u frikësuar. Duhet të jemi qytetarë që marrin përgjegjësi. Në SHBA ndodhin gjëra shumë më të rënda, por nuk sheh një ‘live breaking news’ për çdo ngjarje. Sepse nuk jeton dot i alarmuar përditë.”/dritare.net