Nga Ermal Peçi
Revolucioni mesa duket akoma është në provat gjenerale për të ngjallur zemërimin popullor. Ndërkohë që revolucioni është duke bërë prova, në anën tjetër të fushës së lojës SPAK ka filluar të hetojë çdo dosje, e cila mban era korrupsion shtetëror. Pas vizitës zyrtare të SPAK në SHBA, tensionet e politikës ishin rindezur se kush do të ishte politikani i radhës që do të hynte në dyert e SPAK.
Ditën e mërkurë kur rrugët e Tiranës ishin përmbytur nga shiu i rrëmbyeshëm, Ilir Meta shfaqet në dyert e SPAK. Afera që akuzohet Meta është çështja ÇEZ-DIA, një çështje, e cila flitet për miliona euro të vjedhura, por në fund i ngelet hetimit të vendosë nëse është fajtor apo jo. Deri sa të arrijë dita e gjykimit secili prej politikanëve që e di shumë mirë çfarë ka bërë do të ndjejë frikën e prangave mbi duart e tij si pasojë e makutërisë që kanë treguar. Vetëm një ditë më pas, vinte seanca plenare, kur kureshtja e qytetarëve për të parë telenovelën e revolucionit ishte shumë e madhe. Të gjithë sy e veshë për të parë se si do të niste Parlamenti, kur ndërkohë Facebook-u i Berishës bëri punën e vet. Aty ku dilnin të gjithë me radhë për të denoncuar regjimin doli vetëm Sali Berisha, tregoi pamjet, karriget e përmbysura, deputetët, të cilët qëndronin në këmbë dhe deputetët e çoroditur që nuk dinin si të vepronin.
Revolucioni nuk po sjell asnjë evolucion, por po përfundon në një kopje të shëmtuar të Albin Kurtit që me veprime të ngjashme dhe gati radikale tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve, por dhe të njerëzve në Kosovë.
Në atë kohë Albini ishte me një narrativë, e cila jo vetëm ngjiste në publik, por kishte dhe kauzë dhe mbi të gjitha nuk kishte pasur kurrë më përpara karrigen e kryeministrit të vendit. Këto janë disa prej diferencave, të cilat veprimet shpesh radikale të Albinit jepnin shpresë në Kosovë kurse veprimet e Rithemelimit dhe deputetëve që e mbështesin japin dëshpërim në Shqipëri. Dëshpërimin sesi axhenda e opozitës mbahet peng për interesa dhe shërbime okulte. E larguar nga hallet e qytetarëve, problematikat e tyre, e larguar dhe e injoruar nga faktori ndërkombëtar duket se revolucioni po nxjerr tym. Jo tym të bardhë si Vatikani kur ka zgjedhje të rëndësishme, por blozë si ato makinat e vjetra, të cilat i lë motori në rrugë./dritare.net