Na ndiqni edhe në

Opinione

Njerëzillëku i doktor Adem Harxhit

Njerëzillëku i doktor Adem Harxhit

Nga Çapajev Gjokutaj

Doktor Adem Harxhi mbushi 90 vjet. Kohë e gjatë, që bëhet edhe më e gjatë ngaqë doktori i respektuar ia ka arritur ta përdorë me nikoqirllëk gjirokastriti por edhe me bujari humanisti.

Në gjithë këtë rrjedhë të gjatë e të begatë, personaliteti i tij është shfaqur në lëvizje, formim e pasurim. Kjo lëvizje dhe ky zhvillim i pandalshëm nuk u kthyen në eklektizëm apo endje poshtë e lart sipas kapriçiove të jetës, por krijuan një personalitet koherent e unik.

Arsyet për këtë arritje jetike mund të jenë të shumta, por njëra duket më e fortë: doktor Ademi ka qenë kudo e kurdoherë i gatshëm të dialogojë me ata që ka pasur përreth, të ndajë përvoja dhe të rrezatojë dituri tek familjarë, miq e shokë, tek pacientët dhe afërmit e tyre, tek studentët, lexuesit dhe telespektatorët.

2.
Një jetë kaq e gjatë, prej minimumi shtatë a tetë dekadash aktive, nuk rrjedh gjithnjë ashtu siç e dëshiron dhe e planifikon njeriu. Merita e Adem Harxhit është se ka ditur të realizojë veten dhe misionin e tij humanitar pavarësisht nëse rrjedhat e jetës i ka pasur në favor apo kundër.

Kur mbaroi shkëlqyeshëm studimet për mjekësi, u emërua pedagog në klinikën e neurologjisë së fakultetit. Rasti e pruri që ky emërim të anulohej dhe të dërgohej mjek okulist në rrethin e Gjirokastrës. Doktor Ademi as u shkurajua dhe as zgjodhi të bëhej një Joniç province. Në vend të qarjeve dhe fajsimit të fatit, zgjodhi të jetë aktiv e i dobishëm.

Mjeshtër i profesionit të vet, punoi me pasion për të themeluar shërbimin e okulistikës në rrethet Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet. Me sa duket, pasioni për punën, energjitë e brendshme dhe përvojat e fituara ndjeheshin ngushtë në kostumin e okulistit. Prandaj pranoi të bëhej drejtor i spitalit rajonal të Gjirokastrës. Nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull, thotë proverbi, por doktor Ademi shtoi edhe një të tretë: lektor i fiziologjisë në universitetin “Eqerem Çabej”.

E kësaj kohe është dhe një ndodhi periferike, por me peshë për të perceptuar qasjen e tij ndaj jetës: si drejtor spitali iu vu në dispozicion një veturë e vogël me shofer. Doktori nuk vonoi të mësonte ta ngiste vetë dhe të bëhej drejtori i vetëm në Gjirokastër e më gjerë që bënte edhe shoferin, edhe drejtuesin e spitalit. Një gjest i thjeshtë, por domethënës: dëshira për lirshmëri, për të parë dobinë dhe për të lënë mënjanë paragjykimet burokratike e intelektualiste.

3.
Aftësia për t’u ngritur mbi rrjedhat e jetës, mbi rastësitë dhe “fatin”, shkëlqen dukshëm kur në mes të viteve 1990 iu desh të emigronte. Ishte 63 vjeç, moshë afër pensionit. Të gjitha rrethanat e shtynin drejt një jete me më pak angazhime profesionale e sociale. Por pikërisht në këtë moshë nisi një aktivitet që do të ishte i rëndë edhe për shpatullat e një njeriu në moshë të mesme: ligjërime publike për seksin dhe edukatën seksuale në televizione dhe në media të shkruara.

Ishte punë e vështirë, jo vetëm sepse kërkonte përditësim dhe njohje të arritjeve më të fundit, por sidomos sepse kërkonte guxim intelektual të dilje në mjedisin shqiptar e të flisje publikisht për një fushë si seksi, gati tabu për ligjërimin tonë mediatik e publik.

Guximi i doktor Ademit ishte i dyfishtë: shoqëror, sepse sfidonte normat e heshtjes, por dhe personal, sepse e bëri në moshën e tretë, kur shoqëria pret nga të moshuarit të jenë konservatorë dhe jo reformues.

Jo vetëm kaq, siç e thashë edhe më lart, në këtë moshë shumë njerëz zgjedhin të tërhiqen, të heshtin, të shkruajnë kujtimet. Doktor Ademi i ikën këtij modeli: zgjodhi të fillojë diçka të re, të flasë për një temë që prek kryesisht të rinjtë, çiftet, familjet, një brez tjetër. Ky ishte një akt vetëpërmbushjeje: nuk e pa pleqërinë si fund, por si një hapësirë për t’u vetndjerë i dobishëm duke dhënë diçka shoqërisht të vlefshme, ashtu siç nuk e pa emigrimin si largim nga Shqipëria po si një urë lidhëse.

Në 90 vite jetë, doktor Adem Harxhi ka ndërruar shumë skena: klinikën e syve, spitalin e Gjirokastrës, auditorin e universitetit, faqet e librave dhe artikujve të shkruar prej tij, ekranet televizive etj. Është dëshmi e një personaliteti të fortë dhe këmbëngulës që, në të gjitha këto skena e në gjithë këtë aktrim që zgjat prej dekadash, ka luajtur të njëjtin rol: njeriun që kërkon të flasë me tjetrin, të ndajë dije, të lehtësojë dhimbje, të ndriçojë mendje, intelektualin që ka për mision njerëzillëkun./gazetadita